Takimi mes Besës dhe Egnatias, i mbyllur me fitoren e vendasve 3-2 me përmbysje, u përfol shumë si një takim i trukuar. Megjithatë, lojtarët e të dyja skuadrave refuzuan se kanë pasur të bëjnë me një shitje ndeshjeje. Deklaratat e futbollistëve të dyja skuadrave janë publikuar sërish sot nga “Top Channel”. Lojtarët e Egnatias pranuan se nuk i kushtuan rëndësi kësaj ndeshjeje, jo për faktin se është shitur, por se nuk janë paguar dhe nuk kishin motivim për të luajtur.
“Ishim të papaguar dhe në formë proteste kishim vendosur të mos luanim. Nuk kishim qëllime për të shitur ndeshjen, apo luajtur baste”, thuhet në deponimet e futbollistëve të Egnatias në Komisionin e Etikës.
Ndërsa lojtarët e Besës u shprehën se ishin në dijeni të problemeve te skuadra kundërshtare, por e morën takimin lehtë në pjesën e parë, duke ia bërë punën shumë të vështirë vetes në fraksionin e dytë të lojës.
“Kishim mësuar që lojtarët e Egnatias kishin vendosur të mos impenjoheshin në atë ndeshje dhe për këtë arsye e morëm më lehtë se ç’duhet, prandaj u gjendëm në disavantazh 2-0 në pjesën e parë”, thuhet në deponimet e lojtarëve të Besës. “Ndërkohë, në të dytën u mobilizuam dhe arritëm ta kthejmë rezultatin”.
Nuk ka nisur ende ndonjë hetim nga Prokuroria. Futbollistët vazhdojnë të kenë probleme në futbollin shqiptar: Mungesë pagash, motivimi për të luajtur. Prandaj dhe gara e ka humbur cilësinë, dëshirën dhe përmirësimin, duke bërë që futbolli ynë të mos ecë përpara, por të bëjë hapa pas.