Pol Pogba bëri një nisje sezoni për t’u harruar, edhe pse pritej shumë nga ai pasi fitoi Kupën e Botës me Francën. Ylli i Mançester Junajtid prishi raportet dhe me trajnerin Murinjo, i cili në shumë ndeshje e la në stol francezin. Largimi i teknikut portugez nga kreu i pankinës bëri që Pogba të rilindë dhe nën urdhrat e Ole Gunar Solskjaer, ka qenë lojtari më i mirë për “Djajtë e Kuq”.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Pogba ka folur sa i takon të ardhmës së teknikut norvegjez në krye të Junajtid, pasi momentalisht është në krye deri në fund të sezonit. Mesfushori pranoi se do të ishte diçka shumë pozitive për të dhe për klubin nëse Solskjaer qëndron, pasi e ka treguar se di të marrë rezultatet e duhura dhe të mbajë të lumtur një grup lojtarësh.
“Sigurisht që ne duam që ai të qëndrojë”, tha fillimisht Pogba. “Ole ka bërë shumë mirë që kur ka ardhur këtu dhe rezultatet e tregojnë këtë gjë. Ai di t’i mbajë lojtarët të lumtur dhe kur lojtarët janë të lumtur, puna e tij bëhet më e thjeshtë. Është një trajner shumë cilësr dhe shpresoj të qëndrojë këtu”, u shpreh Pogba.