Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë dy ndër futbollistët më të mirë të historisë së lojës më të bukur me top. Argjentinasi i Barcelonës dhe portugezi i Juventusit vazhdojnë të luajnë në nivele të larta, të shënojnë, thyejnë rekorde dhe të fitojnë.
Një grafik interesant i krijuar nga FDOR jep një pasqyrë gjithëpërfshirëse të dyshes së famshme. Gjithçka nis nga sezoni 2009/2010, viti kur CR7 la Mançester Junajtid për t’u transferuar në kryeqytetin spanjoll.
Aty përfshihen golat, asistet, titujt kampion të fituar dhe Champions Ligat. Shifra të frikshme për fituesit e 10 “Topave të Artë” së bashku (nga pesë secili). Ronaldo qëndroi nëntë sezone te Reali, aty ku shënoi 450 gola në 438 ndeshje! Nga ana tjetër është kapiteni i Barcelonës me 472 gola në 476 ndeshje! Shifra “kanibalësh” dhe pothuajse të pabesueshme…
Mesi kryeson edhe për asistet e dhëna. “Pleshti” numëron 177 ndërsa CR7 ka dhuruar 131 të tillë. Vazhdon dominimi i Mesit me katër tituj kampionë Spanje kundrejt 1 të Ronaldos. Portugezi dominon në Europë. Nga sezoni 2009/2010, ai ka fituar 4 herë “kupën me veshë të mëdhenj”, ndërsa Mesi vetëm një.
Nëse vazhdojnë të bëjnë mirë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, ata mund të përballen në finalen e madhe të Madridit. Barcelona-Juventus mund të takohen vetëm në finale dhe kjo do të ishte maksimumi.
Dy fenomenet janë ndeshur vetëm një herë të vetme në finalen e Champions Ligës. Ishte 27 maji i vitit 2009. Barcelona e Guardiolës fitonte përballë Mançester Junajtid të Fergusonit me rezultatin 2-0. Ronaldo ishte pjesë e ekipit anglez, Samuel Eto kalonte katalanasit në avantazh, ndërsa Mesi shënonte golin e sigurisë me kokë.
— JohnSmith1988 (@Smith1988John) March 18, 2019