Gara për shërbimet e Adrien Rabiot është shumë e fortë. Barcelona ishte ekipi më pranë arritjes së akordit me mesfushorin francez, por në garë për shërbimet e tij janë dhe Juventusi, Milani, Bajerni i Mynihut, Arsenali, Totenhemi dhe Reali i Madridit.
Sipas lajmeve që vijnë nga mediat spanjolle, Reali i Madridit ka vepruar shpejt dhe ka arritur të bindë 23-vjeçarin, i cili do të largohet me parametra zero në fund të sezonit nga PSG. Drejtuesit e kampionëve të Europës kanë gjetur akordin me nënën e lojtarit, e cila është edhe agjentja e tij.
Lojtarin e pret një rrogë prej 10 milionë eurosh në sezon, ndërsa 10 milionë do të marrë dhe agjentja e nëna e tij në momentin e firmosjes së kontratës. Në marrëveshje janë përcaktuar dhe bonuset për Rabiot: 2 milionë euro do të përfitohen në momentin që lojtari do të arrijë shifrën 100 ndeshje me ekipin e Solarit, 2 të tjera në rast të fitimi të Champions Ligës dhe nga gjysmë milionë euro për fitimin e kampionatit dhe Kupës së Mbretit.