Bekim Balaj dhe Odise Roshi i kanë dhënë fund përgatitjeve 2-mujore në Turqi dhe tani do të rikthehen të luajnë me skuadrën e Akhmat. Ndeshja e parë e skuadrës çeçene pas pushimit dimëror do të jetë ditën e nesërme në transfertë kundër Rubin Kazan.
Krahas përballjes së nesërme, dy lojtarët e kombëtares sonë do të kenë mundësi të aktivizohen dhe në dy takime të tjera para shpalljes së listës së Panuçit për ndeshjet e kualifikuese të “Euro 2020” kundër Turqisë dhe Andorrës, që do të zhvillohen më datë 22 dhe 25 mars.
Balaj ka qenë një ndër lojtarët më të grumbulluar nga Panuçi dhe me shumë gjasa ftesa për sulmuesin shkodran nuk do të mungojë as kësaj radhe.
Ndërkohë, situata me Roshin është krejt ndryshe. Mesfushori fierak ka pak javë që është kthyer në stërvitje të plotë me grupin pas një dëmtimi që e la jashtë fushave prej më shumë se pesë muajsh. Këto javë do të jenë vendimtare për të parë nëse 27-vjeçari do t’ia dalë të rikthehet në radarin e kombëtares.