Vajushi i qartë, Kukësi e Partizani i kanë kushtet në tavolinë

Armando Vajushi nuk ka zhvilluar akoma ndeshjen e parë këtë sezon, pasi ndodhet pa ekip që nga vera. Shkodrani mbylli sezonin e kaluar me Avelinon dhe tashmë është gati të rikthehet në… Superiore.

Kukësi është futur në garë për shërbimet e lojtarit ofensiv, ndërsa ka patur interesim dhe nga dy klube të tjera. Siç raporton “Telesport”, të kuqtë kanë kontaktuar Vajushin, por ka patur dhe një ofertë nga Tirana.

27-vjeçari ka dy kërkesa: kërkon një kontratë të gjatë dhe një rrogë prej 150 mijë eurosh në sezon. Ai kreu fazën përgatitore të janarit në Turqi me ekipin e Botoshanit. Rumunët ishin pranë akordit dhe i ofruan lojtarit rreth 100-120 mijë euro në sezon.

Për Vajushin ka interes dhe nga kampionati qipriot dhe ai iranian. Kthehemi në Superiore. Humbja në kupë përballë Apolonisë dhe barazimi në kampionat përballë Laçit ka mërzitur presidentin Gjici, i cili është gati të përforcojë ekipin me një lojtar cilësor si Vajushi.

“Telesport” zbulon tratativat mes klubit verilindor dhe shkodranit, ndërsa bisedimet janë në fazën finale. Gjici po kërkon të arrijë akordin me lojtarin, por ky i fundit kërkon 150 mijë euro në sezon, pa përfshirë bonuset e golave dhe fitimit të titullit kampion.

Të njëjtat kushte i janë paraqitur dhe Partizanit, që nuk ka kthyer akoma përgjigje lojtarit. Po Tirana? Bardheblutë kanë bërë një tentativë para disa ditësh, duke i ofruar lojtarit një kontratë deri në fund të sezonit. Vajushi nuk ka pranuar ofertën, pasi nuk është dakord me kohëzgjatjen e kontratës. Kukësi mbetet favorit për afrimin e lojtarit, i cili ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar një gol me kombëtaren kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *