Kristian Panuçi do të duhet të presë deri në mars për të drejtuar kombëtaren në një ndeshje zyrtare, ndërkohë që aktualisht ndodhet në Itali. Trajneri i kuqezinjve ka folur së fundmi për situatën e lojatëre të kombëtares dhe i lëshon një mesazh Elseid Hysajt, i cili te Napoli nuk po kalon një periudhë të mirë.
“Elsi duhet të qëndrojë i qetë, sepse është një lojtar i nivelit ndërkombëtar. Për këtë arsye atij i nevojitet vetëm të qëndrojë i qetë”, thotë Panuçi fillimisht në deklaratën e dhënë për “TV Klan”. Më tej ai komenton edhe lëvizjen e Armando Sadikut dhe Sokol Cikalleshit.
“Uroj që të luajnë me vazhdimësi kjo është gjëja më e rëndësishme. Jam i bindur se Armando do të luajë. Cikalleshi do të luajë po ashtu. Sa më shumë të luajnë, ata aq më shumë i lumtur do të jem unë. Kjo pasi do të kem më shumë mundësi të zgjedh kur të bëj grumbullimet”, u shpreh trajneri i kombëtares.