Mesfushori i Laçit, Fjoart Jonuzi ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të kurbinasve në gjysmën e parë të kampionatit dhe statistikat e tij, janë shumë të kënaqshme. Jonuzi është aktivizuar në 16 sfida titullar dhe ka bërë paraqitje shumë të mira.
Gjithsesi, goli i ka munguar 22-vjeçarit, por për “sportekspres.com”, Jonuzi premtoi se do ta gjejë rrugën e rrjetës në gjysmën e dytë të kampionatit, si dhe do të kontribuojë sa më shumë që skuadra e Laçit të arrijë te objektivat që ka. Në fjalën e tij, mesfushori u shpreh:
Pas një paraqitjeje shumë pozitive përballë Tiranës, erdhi ajo humbje me Teutën. Si është atmosfera në ekip dhe a është gati Laçi për ta nisur në mënyrën e duhur gjysmën e dytë të sezonit?
“Po, është e vërtetë. Me Tiranën zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, pastaj edhe ndeshja me Teutën ishte paraqitje e mirë. Në ndeshjet miqësore, nuk ka shumë rëndësi rezultati. Unë mendoj se ka rëndësi mënyra e lojës që bën ekipi dhe gjendja para kampionatit. Deri më tani, jemi të kënaqur me fazën përgatitore që kemi bërë dhe mund të them që jemi gati”.
Keni qenë një titullar i padiskutueshëm në gjysmën e parë të kampionatit, pavarësisht se janë ndërruar disa trajnerë. Iu gëzon ky fakt, apo mendoni se duhet punuar edhe më shumë?
“Normal, jam i kënaqur për minutat që kam marrë, sepse kjo është e rëndësishme për çdo futbollist dhe mendoj që kam akoma shumë punë për të bërë për të arritur një nivel të lartë, si individualisht, ashtu edhe me ekipin”.
Goli iu ka munguar deri më tani këtë sezon, premton gola Jonuzi në gjysmën e dytë të kampionatit?
“Për një lojtar, mendoj është e rëndësishme loja që bën dhe sa e ndihmon ekipin. Por normale, edhe goli të rrit vlerat akoma më shumë dhe shpresoj në këtë gjysmë të dytë të arrij të shënoj”.
Ndeshja e parë është ajo kundër Bylisit, skuadër që duket në formë të mirë. Jeni optimistë për një rezultat pozitiv dhe a është ende Kupa e Shqipërisë një objektiv për Laçin, apo fokusin do e marrë Europa?
“Ndeshjen me Bylisin e vlerësojmë, sepse ka bërë mirë deri tani në Kategorinë e Parë dhe mendoj që do jetë një ndeshje e vështirë. Do të japim maksimumin për të marrë një fitore dhe të vazhdojmë për objektivin si çdo vit që ka Laçi, Kupën, që është bërë si traditë tani”.
Laçi ka 17 ndeshje pa fitore përballë Kukësit. A do ta thyejë ekipi juaj këtë “mallkim” në ndeshjen e kampionatit dhe a do të ketë një rëndësi të veçantë ky takim për ju, pasi luani si një “ish”?
“Kukësi dihet që ka një ekip shumë të mirë dhe e vlerësojmë, por nuk kemi frikë asnjë dhe me çdo ekip, mundohemi të japim maksimumin, edhe pse jo, ta thyejmë edhe këtë “mallkimin” që mendoj se është shumë i gjatë.
Po, kam shumë respekt për Kukësin. Do jete një ndeshje e veçantë, pasi si një “ish”, më motivon akoma dhe më shumë se ndeshjet e tjera. Shpresoj të zhvillojmë një ndeshje të mirë të gjithë si skuadër dhe të marrim një rezultat pozitiv përballë një skuadre shumë cilësore”,- përfundoi Jonuzi.
Intervistoi: VERONIK ISTREFAJ