Shumë futbollistë shqiptarë zgjedhin shtetin fqinj, Italinë për të vazhduar karrierën e tyre dhe lojtarët kuqezi që luajnë në Serie A, por dhe në Serie B, janë të shumtë.
Mediat italiane kanë bërë një analizë të gjysmës së parë të sezonit në Serie B, ligë ku aktivizohen plot 6 futbollistë. Emrat më të njohur janë padiskutim Memushaj dhe Ndoj, të cilët janë grumbulluar edhe nga Panuçi.
E pikërisht këta dy lojtarë kanë qenë ndër më të mirët në kampionat, me Memushajn që është shumë lart në renditje sa i takon numrit të asisteve, me plot 7. Statistikat janë të mira edhe për Ndojn, që ka shënuar një gol dhe ka asistuar 3 herë për Breshian.
Së bashku me Memushajn, te Paskara është aktivizuar edhe portieri Kastrati, i cili numëron 4 takime dhe një rrjetë të paprekur. Talenti i sulmit, Xhakomo Vrioni ka shënuar një gol dhe asistuar njëherë, por ka qenë ndër më të mirët për ekipin e Venecias.
Edhe mbrojtësi qendror, Kastriot Dermaku, ka luajtur rregullisht për ekipin e Kozensas, ku ka arritur edhe të asistojë njëherë për shokët e skuadrës së tij.