Rexhinaldo është në qendër të vëmendjes. Kukësi gjatë merkatos dimërore ka blerë nga Luftëtari Vasil Shkurtajn, i cili ka shënuar me bluzinjtë 7 gola. Po aq ka realizuar edhe sulmuesi nga Mozambiku, i cili nuk nguroi të bënte edhe një postim në rrjetet sociale.
“Në stol ulem vetëm në shtëpi”, shkruante Rexhinaldo. Një paralajmërim se do të kërkojë të jetë zgjedhja e parë. Sigurisht do të vendosë trajneri Armando Cungu, sikurse edhe është shprehur presidenti Safet Gjici i ftuar në emisionin “Pressing”, që drejtohet nga Gerti Çarçani dhe transmetohet në ABC News.
Numri një i verilindorëve është i qartë për sulmuesi dhe stafin. Nuk ka asnjë justifikim për titullin kampion, ashtu sikurse edhe për Rexhinaldon nuk do të ketë më asnjë tolerim. Madje Gjici tregon se masat kanë nisur të merren që tani.
“Ai është sulmuesi i mirë i kampionatit, ka bërë mirë deri diku. E prisja të bënte edhe më mirë te Kukësi, por aq sa ka bërë ka bërë. Nuk mund të rrimë dot me një sulmues. Një ekip që do të dalë kampion, patjetër që i duhen dy sulmues. Kampionati është i gjatë dhe nuk mund të rrish me një sulmues e të presësh se kur do të bëjë ndonjë gol Rexhinaldo. Ai ka një problem, sa shoh. Një lojtar profesionist duhet ta shohë qetësisht konkurrencën. Një profesionist që nuk e pret qetësisht konkurrencën, do të thotë që ka probleme. Megjithatë them se ata të dy do gërshetohen të dy bashkë. Varet se si trajneri do e bëjë skemën e lojës”.
“Rexhinaldo është sulmues që edhe luan mirë aty ku luan, por edhe kthehet shumë mbrapa. Nuk e di si do luajë trajneri, ai e ka në dorë. E rëndësishme është që këta lojtarët janë kërkuar nga trajneri. Kemi pasur ankesa dhe në fakt me një sulmues nuk dilet kampion, edhe pse profesori ka bërë skema që të ndihmojnë edhe krahët. Por me një sulmues pykë, ne kemi menduar që Shkurtaj e bën mirë atë punë. Kukësi ka pasur gjithmonë një lojtar përpara si Shkurtaj, që na ka dhënë garanci”.
“Rexhinaldo do ulet në pankinë? Nuk e thashë këtë, atë e di vetëm trajneri. Nëse luhet me dy sulmues, nuk ka pse ulet në stol. Ndaj janë në fazë, të provojnë. Nuk dua të rri atje në tribunë dhe të pres kur po vjen goli. Për hir të vërtetës kemi shënuar pak, kjo ka të bëjë edhe për faktin se ka sulmues të dobët në kampionatin tonë. Ne kemi prodhuar lojë, por nuk kemi shënuar. Me Partizanin në Elbasan kishin 6-7 raste dhe nuk shënuam. Edhe kjo ndikon. Nëse prodhon lojë dhe nuk ke sulmues të bëjë golin, normal do vuash”.
“Rexhinaldo jo i qetë, i druheni ndonjë kontradikte? Nuk i frikësohem. Rexhinaldo e ka kuptuar mirë se ka rregullore klubi, ka disiplinë dhe nuk tolerohet më. Nëse është toleruar deri tani, nuk do të ndodhë më. Ka kontratë dhe do e zbatojë kontratën. Nuk do ta tolerojmë. Që tani ka nisur mostoleranca. Nëse Rexhinaldo ka frikë nga konkurrenca, atëherë nuk është profesionist. Pra ai duhet t’i bindet urdhrave të trajnerit, rregullores së klubit. Është nën kontratë dhe do e zbatojë deri kur t’i përfundojë. Nuk ka arsye pse Rexhinaldo, që ende pa parë skemat, të mërzitet”.
“I kam thënë Cungut, po të isha unë do të luaja me dy sulmues. Problemi është se nuk vendos unë, por trajneri. I kam than t’i shohë në miqësore në Turqi. Ai vendos se cila është skema më funksionale. Nuk mund të them, se për shkak se Rexhinaldo do vendosë kushte që o do luaj unë, o plasa, do luhet me dy sulmues. I kam thënë Rexhinaldos, do marr katër sulmues. Nëse do paraqitesh mirë, do luash. Trajneri e shikon, nëse luan me një sulmues gjithmonë. Edhe Rroca. E kemi marrë për lojtar të mirë, por nëse nuk paraqitet mirë, atëherë do luajë tjetri. Po të marrim 22 lojtarë të të njëjtit nivel, çfarë do ndodhë?! Po rrinë rezerva lojtarë të Barcelonës, lojtarë të ekipeve të mëdha dhe nuk rrika Rexhinaldo”.
“Rroca nuk luan në vendin e Shkodrës, luan më para. Shkodra ishte mesfushor qendre. Ai nuk ishte në planet tona, kështu biseduam dhe e falënderojmë për kontributin. Rroca e bën edhe mesfushorin e qendrës, por edhe përpara. Gjithmonë varet nga skema e trajnerit. Na kërkuan këto lojtarë, ia dhamë. Nuk ka justifikime për titullin, fare. Kjo është e prerë. Nuk ka justifikime stafi teknik për titullin. Të gjithë lojtarët i kanë. Madje asnjë ekip në Shqipëri nuk i ka lojtarët njëlloj. Fusha përcakton kush është më i mirë. Ne kemi bërë një investim gjigant, deri tani asnjë ekip në Shqipëri nuk ka blerë dy lojtarë si ne. I kemi marrë jo pa qëllim, pasi mund të merrnim edhe të huaj. Morëm këta që e njohin kampionatin dhe i njohim edhe ne. Kjo do të thotë se trajneri e ka topin”.
“A ka presion Cungu? Nuk është trajner i ri ai. Vitin e parë që shkoi deri në tur të katërt thoshin të gjithë që e ka vënë në presion presidenti. Është kalitur, ka qenë te Vllaznia dhe Laçi. Është trajner me eksperiencë. Vetëm se nuk mund të përcaktojë një lojtar se çfarë blerjesh bën klubi. Të gjithë kanë një kontratë. Trajneri nuk ka pse të jetë në presion. Ku ta gjesh ti një president që të bën dy blerje që i ka zili gjithë Superiorja. Pse Laçi nuk i do? Po t’i kishte këto dy lojtarë do thoshte do dalim ne kampion, 100%. Ja ku e kemi trajnerin (i referohet Besnik Prengës, teknikut të Laçit, që ndodhej në studio), pyeteni”.