Renato Arapi është pjesë e Afjet Afjonspor në Turqi, por mbrojtësi durrsak gjatë këtyre ditëve mund të mbyllë kontratën. E gjithë situata vjen prej situatës jo të mirë financiare në klubin aktual. Ofertat për të nuk mungojnë.
“U nisëm për më të mirën, menduam se bëmë zgjedhjen e duhur, por në fakt nuk doli ashtu. Kishte mungesë profesionalizmi, problemet që ndodhën në Turqi me valutën e tyre, reflektuan në kontratat tona, duke na kërkuar që të bënim ulje. Diçka e papranueshme. Klubi kishte edhe mungesë organizimi dhe kjo reflektoi edhe në rezultate”, tregon Arapi për “A2 News – CNN”.
Më tej flet për situatën kontraktuale: “Nuk i kam shkëputur marrëdhëniet me klubin në Turqi. Menaxheri im do të jetë gjithë kohën në kontakt me klubin. Të dyja palët duam të shkëpusim marrëdhënien, por kam edhe disa pagesa të prapambetura. Nëse nuk do të jetë e mundur të vazhdoj në Turqi, me kushtet që kërkoj, normalisht do të kthehem në Shqipëri, por asgjë nuk është vendosur”.
Kalimi te Teuta komentohet kështu nga Arapi : “Për Teutën më vjen mirë, sepse kanë bërë një projekt serioz edhe më bëhet qejfi, sepse është ekipi i qytetit tim. Kontakte me Teutën kam pasur, me stafin dhe lojtarët, sepse aty kam miq. Kemi folur, kemi diskutuar, por asgjë nuk është përcaktuar”.
SUPERIORJA – “Skënderbeun do ta përfshija pretendent për titullin, siç janë Partizani, Teuta dhe Kukësi. Këto skuadra do ta diskutojnë titullin. Për shkak se Skënderbeu është dobësuar këtë vit, duke shitur shumë lojtarë nga formacioni i vitit të kaluar, të gjitha ekipet kanë një nivel. Kjo e ka bërë kampionatin më të bukur dhe më konkurrues”.