Real Madrid apo Çelsi? Ky ishte diskutimi i bërë gjatë verës për të ardhmen e Robert Levandoskit. Sulmuesi polak pati probleme me Bajernin e Mynihut, por më pas gjithçka u sheshua dhe goleadori mbeti në Gjermani.
Jo vetëm kaq, por Levandovksi tanimë e mendon edhe ta mbyllë karrierën te kampionët në fuqi të Gjermanisë. “Përfundimi i karrierës këtu? Është patjetër një opsion. Një ndryshim nuk është në mendimet e mia tani.. Në verë ka pasur ndonjë problem, por tani gjithçka është në rregull”, është shprehur Levandovski për “Sport Bild”.
Levandovksi po luan sezonin e pestë me Bajernin e Mynihut. Këtë kampionat ai e ka mbyllur me 10 gola të shënuar në 16 ndeshje, ndërkohë që rekordin në Bundesliga e ka në sezonet 2015-2016 dhe 2016-2017 me 30 gola të realizuar. Vjet polaku shënoi 29 gola, çka normalisht bëri që të mbetej një nga sulmuesit më të kërkuar në merkato, edhe pse është 30 vjeç.