Sampdoria zhvilloi një ndeshje të mirë kundër Juventusit, por doli pa pikë nga fusha e blertë. Dygolëshi i Ronaldos i dhuroi tre pikët bardhezinjve, ndërsa goli i Kualjarelës nuk mjaftoi për miqtë. Sampdoria arriti të barazonte ndeshjen në minutat shtesë me një gol fantastik të Saponarës, por VAR-i anuloi golin dhe ndeshja u mbyll 2-1.
Masimo Ferrero është një nga presidentët më të veçantë të botës së futbollit. Kreu i Sampdorias i është rikthyer dhe njëherë akuzave për teknologjinë VAR. Teknologjia ka “krijuar” dy ndeshje: një në fushë dhe një në televizor, ndërkohë që duhet të ishte një ndihmesë për arbitrat.
“Pas ndeshjes u ngjita në autobusin e ekipit dhe përgëzova të gjithë lojtarët. U thashë që isha krenar për mënyrën sesi u përballën me Juventusin. VAR-i? Nuk mund të jetë më protagonisti i vetëm. Tani e dimë se kur shkojmë në stadium, ekziston mundësia për të parë dy ndeshje, një në fushë dhe një në televizor. Nuk vazhdohet kështu, duhet të kthehemi t’u japim besim arbitrave, të cilët janë të aftë dhe të përgatitur. Të gjithë e kemi kërkuar VAR-in dhe nuk kthehem mbrapa, por teknologjia duhet të ishte korrigjuese, një ndihmë shtesë për arbitrin. Tani na është kthyer në problem, nuk mund të ndërpritet ndeshja 6-7 herë, edhe për episode minimale”, përfundon Masimo Ferrero.