“Diga” e Tiranës, Turtulli-Imami: Loja foli për ne, pikët na kanë munguar

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, e kishte rreshtuar ndryshe mbrojtjen kundër Flamurtarit dhe bardheblutë nuk pësuan. Pas fitores me vlonjtatët, për mediat e pranishme në “Selman Stermasi” folën dyshja e qendrës, Eni Imami dhe Marvin Turtulli.

Ky i fundit, e ka nisur kështu: “Unë jam në dispozicion sa herë që është nevoja, gjithmonë jam i gatshëm. Na duhej shumë kjo fitore, kemi punuar shumë edhe nga ana psikologjike. Të gjithë kemi qenë të përqendruar dhe të karikuar për të fituar me çdo kusht. Po ta shikoni, edhe tifozët na kanë ndihmuar shumë me praninë e tyre”.

Ndryshimet në mbrojtje – “Ishte mirë, ekipi tjetër nuk na rrezikoi shumë. Nuk kishte shumë raste që të na rrezikonte. Loja foli për ne sot. Mospësimi i golit? Me thënë të drejtën duhet të punojmë fort që të mos pësojmë gola, por nuk është vetëm reparti i mbrojtjes, por i gjithë ekipi duhet të punojë shumë. Analizat i bën trajneri, nuk është se na takon ne. Ne duhet të japim maksimumin, kaq kemi si detyrë”.

Ngërçi dhe objektivat – “Shpresoj që e kemi kaluar ngërçin, por për se ku shkon Tirana nuk më takon mua të flas. Mund të flasë trajneri, drejtuesit. Unë si Turtull mundohem të jap maksimumin tim sa herë më kërkohet”.

Qëndrimi jashtë formacionit– “E vështirë është, nuk ka lojtar që e pranon stolin. Unë kam luftuar e punuar fort. Besoj se jam rikthyer më i fortë”.

Imami duke festuar golin e Hasanit në ndeshjen me Flamurtarin

ENI IMAMI – Më parë Ze Maria e kishte pozicionuar në qendër, ndërkohë që tanimë të njëjtën gjë bëri edhe Mema. “Uroj që ta kem ndihmuar ekipin, pasi trajneri kur të bëjmë analizën do më japë të dhënat se si kam qenë gjatë ndeshjes. Uroj që të kemi bërë një ndeshje të mirë. Vet e di që kam bërë një ndeshje të mirë. Uroj  të vazhdojmë kështu, unë së bashku me shokët e mi, pasi kemi zhvilluar një ndeshje fantastike kundër një ekipi fantastik që është pretendent për titullin kampion”.

“A funksionoi skuadra me ndryshimet e bëra? Mendoj që të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe ato që janë ulur në stol nga ndeshja e kaluar. Kanë zhvilluar lojëra shumë të mira, por ka qenë mungesa e pikëve, ajo që ndoshta i ka penalizuar ato lojtarë. Por janë lojtarë që mund të luajnë në çdo ekip të kampionatit shqiptar. Te Tirana janë shumë të rëndësishëm”.

“Në çdo ndeshje, është e vërtetë ajo që ka thënë trajneri, që ka pasur mungesë përqendrimi dhe papërgjegjshmërie. Mendoj që nga ndeshja në ndeshje uroj që të ngrihemi më lartë dhe ato gabime të mos përsëriten më. Ka edhe goxha ndeshje, është gjysma e kampionatit dhe…

“Më mirë në qendër të mbrojtjes? Të them të drejtën edhe kur bën ndeshje të mira si mbrojtës i majtë, thonë që je për aty. Por edhe qendra e mbrojtjes është një pozicion që më pëlqen. Uroj të vazhdojmë kështu dhe të kemi një ecuri pozitive”, përfundoi Imami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *