Me merkaton e janarit në prag, klubet kanë nisur të mendojnë në lidhje me përforcimet e mundshme. Një nga këto skuadra është Roma, e cila është në kërkim të një mbrojtësi të majtë, kjo dhe si pasojë e moshës së Aleksandër Kolarov.
Shënjestra e drejtorit sportiv, Monçi, është mbrojtësi, Patrik Van Anholt, i cili aktualisht aktivizohet në Premier Ligë me Kristal Palas. Sipas raportimeve të “The Sun”, ekipi verdhekuq po përgatit një ofertë, që ndoshta mund të duket disi absurde, pasi sipas prestigjiozet angleze, Roma do të ofrojë plot 30 milionë euro për holandezin.
Van Anholt është aktivizuar me ekipe si, Njukasëll, Leister, Uigan, apo Vitese në Eredivisie, ndërsa prej vitit 2017 luan për Kristal Palas. Ndoshta 25 milionë sterlina për një futbollist 28-vjeçar, i cili ka luajtur për ekipe mesatare në karrierën e tij, janë relativisht shumë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë, në rast se këto spekulime janë të vërteta.