Flamurtari do të vizitojë Tiranën në ndeshjen e fundit të vitit 2018, në një sfidë ku pritshmëritë janë të mëdha. Në konferencën e zakonshme për shtyp, veç trajnerit daja ishin dhe dy futbollistët Agustin Torasa dhe Danilo Alvesh.
Fillimisht ishte argjentinasi ai i cili mori fjalën, duke vënë në dukje forcën e skuadrës bardheblu. Për anësorin, kundërshti meriton të jetë në pozita më të mirë, duke treguar në këtë mënyrë se duhet pasi shumë kujdes, për të evituar çdo lloj surprize të pakëndshme.
“Tirana duhet të ishte më lart, pasi luan bukur. Do jetë ndeshje e fortë dhe duam ta mbyllim vitin me fitore”.
Njëriu i momentit në Vlorë është Danilo Alvesh, pasi golat e tij i kanë sjellë pikë në të gjitha ndeshjet kuqezinjve. Sulmuesi i skuadrës vlonjate u shpreh se ekipi ka vetëm një objektiv, ta mbyllë këtë vit me një sukses. Po ashtu Alvesh veçon se do të bëjë më të mirën e tij për ta ndihmuar sërish ekipin duke shënuar gola me peshë.
“Nuk është e thjeshtë, por mendojmë pozitivisht. Do bëj maksimumin të shënoj dhe dua ta bëj diçka të tillë. Por me rëndësi është që të fitojë skuadra”.