Trajneri Mauricio Sarri i ka bërë thirrje bordit drejtues të Çelsit që të bëjë durim me të, duke hequr një paralele me sezonin e parë të Pep Guardiolës, me spanjollin që nuk fitoi asnjë trofe te Mançester Siti.
Çelsi do të ndeshet sot me Sitin, përballja e parë me Sarrin në stol, ndërsa italiani është nën presion, për shkak se për herë të parë në këtë sezon po mungojnë loja dhe rezultatet, me dy humbje rresht kundër Totenhemit dhe Ulvërhemptonit që e kanë bërë situatën të zymtë.
Kreu është shumë larg dhe tashmë rrezikohet edhe dalja jashtë katërshes së parë të renditjes, por Sarri mendon se ishte e parashikueshme një rënie e tillë, pasi këtë verë Çelsi ka ndryshuar totalisht stilin e lojës dhe duhet durim.
“Duhet të pyesni klubin nëse do jem trajneri i Çelsit deri në fund të sezonit. Nuk di si të përgjigjem. Çfarë do të ndodhte nëse Guardiolës nuk do t’i jepej kohë te Siti? Ndoshta skuadra më e mirë në botë nuk ishte Siti sezonin e shkuar. Nuk e di, nuk është problemi im. Problemi im është të përmirësoj lojtarët, të zgjidh situatën, problemet, të grumbulloj shumë pikë. Pastaj vendos klubi për të ardhmen dhe çfarë është më e mira për Çelsin”, tha Sarri në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme, paksa i acaruar.
Guardiola kaloi disa ditë pushime këtë verë në Itali, ku darkoi me Sarrin dhe Arrigo Sakin në Milano. Sarri ende nuk kishte nisur bisedimet për transferim te Çelsi, ndërsa tani zbulon këshillën që i dha Pep: “Më tha që sezoni i parë në Angli është shumë i vështirë. Për të, është e pamundur të përmirësosh 20 lojtarë që në sezonin e parë. Më tha se në sezonin e parë duhet të punosh vetëm me 14 lojtarë, përndryshe je në telashe. Duhet shumë kohë për të përmirësuar ekipin, në Angli është tepër e vështirë.
“Natyrisht, çdo histori është e ndryshme. Mëson që Premier Liga është kampionat fantastik, por shumë i vështirë. Çdo ndeshje është e vështirë dhe shpenzon shumë mendërisht e fizikisht, edhe nëse fiton. Duhet luajtur çdo tre ditë, nuk ke kohë të punosh dhe duhet një sezon për të kuptuar situatën reale këtu”.
Guardiola e ka ndërtuar suksesin e vet edhe falë mbështetjes së plotë të klubit, që e ka lejuar të shpenzojë 350 milionë sterlina për të blerë lojtarët që dëshironte. Sarri, në të kundërt, nuk është se ka pasur ndonjë buxhet të madh dhe nuk kërkon blerje të mëdha: “Shënuesi ynë më i mirë është Hazard dhe na mungon një sulmues që të shënojë çdo ndeshje, por është tepër e vështirë ta gjesh një të tillë. Tre vite më parë isha me fat, sepse te Napoli kisha Higuain, që shënoi 36 gola në 34 ndeshje, por ai është një rast unik. Në Premier Ligë është Salah, vjet shënoi 32 gola, por kur nuk ke lojtarë të tillë, duhet të bësh diçka tjetër, të gjesh zgjidhje të tjera. Nuk është e thënë të ndërrohet sistemi taktik, por të ndryshohet mentaliteti dhe të asimilohet stili i ri i lojës. Duhet të arrish në 95% të potencialit, për të kërkuar më pas 5% në merkato, me vetëm një blerje, jo 11”.