Edhe pse fitorja duket se ka sjellë qetësinë te Kukësi, që ngushtoi diferencën me kryesuesit, ai rritim i Rexhinaldos në sekondat e fundit të ndeshjes e ka prishur harmoninë në ekip.
Sulmuesi nga Mozambiku u duk i irrituar me trajnerin Cungu, të cilit nuk i pranoi përgëzimet kur po ulej në stol. Edhe pse fillimisht u duk se inati ishte me teknikun shkodran, numri një i stolit sqaroi pas ndeshjes se ishte një keqkuptim. Te Kukësi bëjnë me dije se Rexhinaldo ka menduar se Arlind Kalaja e ka ofenduar dhe kjo ka sjellë reagimin e 29-vjeçarit.
Siç bëhet me dije nga burime të sigurta, trajneri Armando Cungu, drejtori Nderim Nexhipi, sulmuesi Rexhinaldo dhe Arlind Kalaja janë takuar për ta sqaruar këtë situatë, që duket paksa jo normale, pasi sulmuesi nuk kishte pse të shfrynte te trajneri, nëse kishte pakënaqësi me shokun e skuadrës. Para seancës stërvitore të ditës së djeshme, dy lojtarët kanë biseduar për afro 30 minuta me trajnerin dhe drejtorin për të “sheshuar” gjithçka.