“Është si një 22-vjeçar”, rikuperimi dhe e ardhmja e Besar Musollit

Besar Musolli ka qenë një ndër më të mirët te Kukësi këto vite dhe mungesa e tij po ndihet te verilindorët. Mesfushori nuk kthehet para marsit, pasi rikuperimi pas ndërhyrjes në ligament kërkon kohë. Gjithsesi besimi është i madh se do të jetë më shpejt në fushë se sa ndodh zakonisht.

GJENDJA – “Në fillim shenjat ishin që nuk kisha një dëmtim të tillë. Pas shumë vizitave mora vesh që kisha këputur ligamentin. E kam kaluar pjesën më të vështirë. Tani po shtoj ritmin e stërvitjes. Jam mirë për momentin”, shprehet Musolli për “Supersport”.

Fizioterapisti Ervin Kapaj është i bindur se rikuperimi po shkon shumë mirë. “Duke parë Musollin, ai ka një fizik të mirë. Duket si 22-vjeçar, edhe pse është 29 vjeç. Edhe karakteri që ka e ndihmon. Përgjithësisht lojtarët e vuajnë shumë një dëmtim të tillë. Në periudhën janar-shkurt të fillojë të vrapojë, të prekë topin. Duhen tre muaj intensive. Nëse kjo fazë nis në janar, në shkurt ose mars i bie të jetë gati për lojë”, tregon Kapaj.

ANALIZA – Musolli më tej flet edhe për atë që po ndodh me ekipin e Kukësit këtë sezon. “Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por rezultati ka munguar. Ky është futbolli. Ky moment ku jemi është dështim. Gjithsesi lufta nuk ka mbaruar dhe do tentojmë titullin deri në fund”, shprehet mesfushori.

RINOVIMI – Në verë Musolli del lojtar i lirë. Fillimisht mendon rikuperimin e tij dhe më pas nëse do jetë në lartësinë e duhur, me shumë mundësi do të qëndrojë. Por duhet pritur. “Kjo për mua është shtëpia ime e dytë. Nuk e di, gjërat janë vështirësuar. Nëse bëhem mirë, jam mirë këtu ku jam. Gjithsesi në futboll nuk i dihet”, thotë Musolli.

SUKSESI I KOSOVËS – Musolli do të donte të rikthehej e të luante për Kosovën, ndërkohë që komentin edhe vendin e parë të përfaqësueses së tij në Nations League. “U lumturova, paiis kam qenë pjesë e Kosovës. U ndjeva krenar, më ngelet t’u uroj suksese. Ëndrra është Europiani, nëse do bëhem mirë në vazhdim”, përfundoi mesfushor i Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *