Kastrioti përballet me Skënderbeun nesër, ndërkohë që para këtij takimi ka dalë para mediave trajneri Stavri Nica. Durrsaku i pankinës së krutanëve ka folur për problemet e ekipit të tij, si mund të dalin nga kriza dhe në fund ka folur edhe për takimin e radhës me korçarët.
PROBLEMET – “Në kushtet që jemi, kemi kërkuar korrigjimin e gabimeve, si në aspektin taktik dhe ato individuale. Ajo që po kuptoj është se shoh që ka nevojë për shumë punë. Ajo që po kërkoj është përqendrimi për të kuptuar se çfarë lloji koncepti do krijojmë për veprimet mbrojtëse. Duhet të jemi shumë më agresiv në veprimet mbrojtëse, duhet të jemi më të orientuar taktikisht. Kam parë në video që golat janë pësuar në përgjumje apo vendosje të gabuara. Edhe probleme të taktikës individuale ka shumë. Mesfushorët duhet të marrin përsipër, sidomos në veprimet sulmuese. Në manovër po shoh që nuk janë shumë të qartë, për të qenë më agresiv. Këto janë probleme për të gjithë futbollin shqiptar”.
ZGJIDHJA – “Një miku im më tha, ‘nëse skuadra do të vij mbrapa, do arrish diçka’. Skuadra është duke u përgjigjur në momentin e parë, që është momenti i disiplinës. Ekipi ka nevojë për impenjim dhe përqendrim maksimal, si dhe duhet të bindet që ka dhe kundërshtar që i merret pika. Ky është një problem psikologjik në tërësi, por psikologjia duhet të krijohet dhe në grup. Skuadra duhet të jetë më harmonike dhe e qetë brenda grupit. Unë do mundohem që të bind lojtarët dhe vetë presidentin se duhet t’ia dalim”.
NDESHJA ME KORCCARËT – “Ndaj Skënderbeut do të jetë ndeshja e parë që unë jam në stol me këtë skuadër. Duhet të japim shenjat e para me kundërshtarin më të fortë në Shqipëri. Duhet të jemi skuadër për të bërë një lojë shumë të mirë. Nëse ia bën hyzmetin, nuk është çudi të marrim pikë. Ne ia dalim me shumë punë dhe pak gjumë. Duhet të shtojmë numrin e stërvitjeve, kohën e stërvitjes dhe kështu vjen impenjimi maksimal”.