Milani arriti një fitore tepër të rëndësishme përballë Xhenoas, duke u ngjitur në vendin e katërt me 18 pikë. Golat e Susos dhe Romanjolit i dhanë tre pikët ekipit të Gatuzos, që arrin fitoren e dytë rresht në kampionat.
Pas sfidës kanë folur Frenk Kesi dhe Alesio Romanjoli. “Duhet të qëndrojmë në këtë post deri në fund të sezonit. Shtrëngova dhëmbët për këtë ndeshje dhe dhashë maksimumin për ekipin. Bakajoko? Për mua është njësoj, si të luaj me të, Bonaventurën, apo Biljan. Më kë luaj është njësoj, rëndësi ka fitorja”, thekson mesfushori me origjinë nga Bregu i Fildishtë.
Nuk mungon as komenti i kapitenit Alesio Romanjoli. Mbrojtësi është i lumtur për fitoren dhe golin e shënuar. Më parë ishte i pafat, duke shënuar në portën e tij dhe dhuruar Xhenoas barazimin e përkohshëm, por në minutën e parë shtesë, kapiteni i kuqezinjve përfitoi nga një grushtim i portierit Radu dhe shënoi një gol të bukur, duke shpërthyer në festë “San Siron”.
“Ishte një mbrëmje e bukur dhe e meritonim fitoren. Isha i pafat në rastin e autogolit, më vjen keq, por arritja ta shlyeja vetën. Kjo skuadër ka marrë shumë kritika, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të shohim përpara. Kalabria? I uroj fat të mbarë Matias, pësoi një dëmtim të rëndë dhe shpresoj të rikthehet sa më parë”, përfundon Alesio Romanjoli.