Ndodh që kur një futbollist lë futbollin apo largohet nga kjo jetë, klubet apo ligat ku ai ka dhënë kontributin e tij e nderojnë në mënyra të ndryshme. Megjithatë në Spanjë kanë një ide tjetër dhe e kanë projektuar që tani, ndonëse duket pak e çuditshme. Edhe pse Leo Mesi ende nuk e ka menduar se kur do t’i varë këpucët në gozhdë, presidenti i La Ligës, Javier Teba, ka hedhur idenë që të krijohet një trofe në emrin e argjentinasit.
Duket paksa e çuditshme që të jepte një trofe i tillë për aq kohë sa vetë lojtari është në aktivitet, edhe pse për “pleshtin” do të ishte një nderim jo i vogël. Sigurisht lojtari vetë duhet të japë mendimin tij për këtë çështje, pasi është emri i tij mbi të gjitha që konsiderohet markë më vete, edhe pse nuk pritet që të ketë ndonjë kundërshtim.
Në konferencën për shtyp është pyetur dhe trajneri Ernesto Valverde, i cili u shpreh se duket një ide e mirë, por më parë duhet që të merret mendimi i lojtarit të tij: “Nuk e di çfarë të them, pasi më parë duhet të pyesim Leo Mesin, nëse do ai që të përdoret emri i tij apo jo, nuk e di çfarë të them. Mund të jetë një ide e mirë, por vendimi i takon atij. Është një pyetje e vështirë për mua”.
Mesi do të qëndrojë dhe për pak javë jashtë fushave të blerta, pasi ka pësuar një dëmtim në krah. Sulmuesi do të humbasë edhe ndeshjen e kthimit me Interin në Champions League.