Luis Suarez është aktivizuar për nëntë sezone me ekipin e Interit, gjatë periudhës 1961-1970. 83-vjeçari spanjoll ka zbuluar një detaj interesant sa i përket Kristiano Ronaldos, në një prononcim për “Tiki Taka”. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” sot aktivizohet me Juventusin, por mund të ishte një lojtar i Interit.
Portugezi luante me Sportingun e Lisbonës, ndërsa Suarez kishte sinjalizuar disa herë klubin e Interit për të marrë shërbimet e lojtarit. Një gjë e tillë nuk mori vëmendjen e duhur nga drejtuesit dhe presidenti Morati, me talentin portugez që kaloi te Junajtid i Ferguson një vit më vonë.
“Kristiano Ronaldo erdhi në Itali me 16 vite vonesë. Ia kisha këshilluar Interit, kur ai ishte 17 vjeç, por që nuk ishte formuar akoma. A i tregova Moratit për të? I tregova të gjithëve, por askush nuk e mori. Ai shkoi te Mançester Junajtid një vit më pas, nëpërmjet marrëveshjes me Sportingun e Lisbonës. Interi më kërkoi të thërras menaxherin e tij për ta ftuar në Itali, por ishte vonë dhe ai ishte larguar”, përfundon Luis Suarez.