Në gushtin e 2017-ës, bordi drejtues i Barcelonës vendosi të shpenzonte 150 milionë Euro për të blerë kartonin e sulmuesit të talentuar të Borusias së Dortmundit, Usman Dembele. Thuajse një vit e gjysmë nga ai transferim, mund thuhet pa problem se talenti francez nuk ka bërë ndonjë progres të madh.
Talenti i pamasë 21-vjeçarit është i lehtësisht i dallueshëm, por në një klub si Barcelona duhet ta tregosh se e meriton fanellën javë pas jave, përndryshe të pret stoli, siç ndodhi sezonin e kaluar, kur Dembele u aktivizua vetëm 12 herë si titullar në La Liga.
Së fundmi mediet katalanase kanë raportuar se lojtari ka ardhur disa herë me vonesë në stërvitje. Dëmtimi i Mesit mendohej se do t’i jepte atij më shumë minuta nëpër këmbë. Por, nuk ka rezultuar kështu.
Trajneri Ernesto Valverde ia besoi krahun e djathtë të sulmit brazilianit Kutinjo, ndërsa Dembele e pa të gjithë ndeshjen nga stoli. E të mendosh se është lojtari i katër më i shtrenjtë në historinë e futbollit…