Vitet e fundit kanë qenë shumë të turbullta për skuadrën e Volfsburgut. Shitja e lojtarëve cilësorë si Kevin De Brujn dhe Bas Dost ka lënë një boshllëk të madh te “ujqërit”. Në dy sezonet e fundit klubi ka rrezikuar rënien në Bundesligën e dytë, por kompania gjigante “Wolkswagen”, që ka në pronësi klubin ka ndërmend të rrisë investimet.
Blerja më e fundit e gjermanëve është talenti i skuadrës së Lionit, Maksuell Kornet. Sulmuesi 21-vjeçar, i cili aktivizohet me ekipin francez që prej moshën 17-vjeçare do të jetë përforcimi më i ri i Volfsburgut.
Sipas medies gjermane “Kicker”, negociatat për lojtarin kanë përfunduar dhe tani priten vetëm analizat mjekësore për të zyrtarizuar çdo gjë. Shuma që Lioni do të arkëtojë për Kornet është 20 milionë euro, si dhe në marrëveshje janë të përfshira dhe disa bonuse në varësi të paraqitjeve të lojtarit.