Luka Modriç është objektivi i Interit, por reagimi i Florentino Perez zbehu shpresat e zikaltërve. “Kush dëshiron shërbimet e Luka Modriç duhet të paguajë 750 milionë euro”, u shpreh presidenti i Realit. Një shifër e frikshme dhe një goditje për “ëndrrën” e interistëve.
Megjithatë siç citon “La Gazzetta dello Sport”, asgjë nuk është e pamundur, sepse ajo që mund të ndryshojë tratativat është vetë dëshira e mesfushorit kroat. Ky i fundit rikthehet në Madrid javën e ardhshme dhe do ulet të bisedojë me Perezin. Kroati ka dëshirë të provojë një aventurë të re dhe Interi e pret me krahë hapur. Aty do gjente dhe një koloni kroatësh, duke nisur me Perishiç, Brozoviç dhe Vërsaljko. Modriç ka dhe dy vite kontratë me Realin dhe përfiton 9 milionë euro në sezon.
Në ndryshim nga Ronaldo, ai nuk kërkon një rritje page, por emocione dhe sfida të reja. 32-vjeçari është gati të bindë presidentin aktual që ta lërë të lirë. Diçka e tillë do ndikonte në uljen e çmimit që italianët do paguanin për të. Kjo është shpresa e drejtuesve të Interit.
Agjenti i Modriç është parë në Milano dhe përveç faktit që ai zotëron edhe të drejtat e Vërsaljkos, diçka e tillë rrit mundësitë që martesa Inter-Modriç të realizohet.
Një aspekt tjetër janë dhe taksat, të cilat ndryshojnë në të dyja shtetet. Modriç u inspektua nga Thesari spanjoll dhe u detyrua të paguajë 1 milionë euro për të mbyllur çështjen. Në Itali, ai do të paguante vetëm 100 mijë euro në vit nga të ardhurat që fiton nga jashtë shtetit. Spanja ka taksa më të larta për futbollistët se sa Italia dhe kjo shkon në favor të Luka Modriç.
Bisedimet vazhdojnë, por gjithçka duhet konkretizuar përpara mbylljes së merkatos, pra datës 18 gusht. Merkato është e paparashikueshme dhe e çmendur dhe diçka e tillë ngroh zemrat e interistëve, të cilët po fillojnë e besojnë gjithnjë e më shumë te “ëndrra” Luka Modriç.