Milani vazhdon të punojë për të siguruar edhe disa blerje deri në fillim të fazës përgatitore në korrik, ndërsa emri që është më pranë kuqezinjve në këtë moment është ai i Andrea Kontit nga Atalanta.
Megjithatë, kuqezinjtë nuk e ndalin kërkimin për lojtarë të tjerë, sidomos në mesfushë.
Emri i fundit që del në dritë është ai i turkut Hakan Çalhanolu, 23-vjeçar, titullar me Turqinë dhe Leverkuzenin.
Sezonin e fundit Çalhanolu luajti deri në janar, por në shkurt u pezullua për 4 muaj nga FIFA, për një kontratë të parespektuar shumë vite më parë me Beshiktashin.
Tani Çalhanolu ka marrë një ofertë nga Milani, sipas lajmeve që vijnë nga Gjermania, por mungon marrëveshja me Leverkuzenin, që nuk e lëshon pa 25 milionë euro, pak a shumë. Ndërkohë, menaxheri i mesfushorit qendror, Bektas Demirtas, pranon se ka pasur kontakte me Milanin, si dhe është shprehur entuziast për një transferim të klientit të tij në Milano.