Mesfushori brazilian Fred ishte blerja rekord e Mançester Junajtid në merkaton e verës. Për 25-vjeçarin u derdhën plot 60 milionë euro në arkat e ukrainasve të Shaktar Donetsk. Më shumë se pesë muaj kanë kaluar që nga ardhja e tij në Angli dhe situata është si mos keq.
Fred jo vetëm që nuk ka mundur të sigurojë minuta të mjaftueshme, por në takimet e fundit ai nuk ka qenë as në stolin e “djajve të kuq”. Braziliani nuk po thërritet më në përfaqësuesen braziliane dhe përshtatja me futbollin anglez duket se nuk do të vijë kurrë.
Ditën e sotme media britanike “The Sun”, ka siguruar foto të një takimi midis Fred dhe agjentit të tij, ku është diskutuar mbi të ardhmen e lojtarit. Oferta të ndryshme për huazim kanë filluar të vijnë në zyrat e Junajtid, por fjalën e fundit do ta thotë trajneri Zhoze Murinjo, i cili pak ditë më parë u shpreh se Fred duhet të ketë durim.