Zeqiri 3 javë jashtë, Shameti ende pa afat

Problemi më i madh i Kukësit në këtë sezon të ri janë dëmtimet e shumta, edhe pse janë luajtur pak ndeshje. Javë pas jave trajneri Milinkoviç ka qenë i detyruar të bëjë ndryshime në formacion, i kushtëzuar nga dëmtimet. Deri tani, asnjëherë nuk e ka pasur grupin të plotë. Ylli Shameti nuk do të jetë në dispozicion të stafit për ndeshjen me Lushnjën, por ajo që shqetëson më shumë është fakti se ende nuk ka një datë të saktë për sa i përket rikuperimit të tij. Stafi teknik dëshiron ta ketë sa më parë gati, duke ditur rëndësinë që ka ai për skuadrën. Natyrisht, edhe dëshira e vetë lojtarit është e madhe për të qenë në fushë sa më parë.

Në krahun tjetër, Hair Zeqiri do të jetë jashtë fushave të blerta për tri javë. Siç u raportua dje nga gazeta, mesfushori vlonjat ka një problem në kofshë dhe tani është përcaktuar dhe periudha e riaftësimit. 28-vjeçari ka humbur veç ndeshjes me Lushnjën, edhe ato me Teutën dhe Luftëtarin, por dhe ndeshjen e parë të Kupës me Egnatian. Por nuk ka vetëm lajme të këqija për Kukësin. Nga sot me skuadrën do të bashkohet sulmuesi Elis Bakaj, i cili e ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Lushnjën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *