VOLEJBOLL | Gurabardhi: Partizani për t’u mundur

0

Trajneri i Barletit Volej: Nuk do të jetë e lehtë si në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, janë përforcuar dhe ato Partizani – Barleti Volej është ndeshja kryesore e javës së tretë të kampionatit të volejbollit për femra, e cila të shtunën do të luhet në ora 17:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Barleti Volej e ka nisur sezonin me fitoren e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa në finale ka mundur Partizanin. Kurse në kampionat ka marrë dy fitore, 3-2 ndaj Mirditës dhe 3-0 ndaj Vllaznisë. Partizani, sipas Gurabardhit, është skuadra për t’u mundur, sepse ka në gjirin e vet katër lojtare të ekipit kombëtar, dy të të rejave, si dhe ka marrë ukrainasen Ugrenko. Ukrainasen e ka parë në derbin me Tiranën, ndërsa i ka vlerësuar pritjen e topit të parë dhe shërbimin. Por në përgjithësi e sheh Partizanin si kundërshtar për t’u mundur. Megjithatë Barleti Volej i ka kaluar pritshmëritë e Gurabardhit, ndërsa në fund të fazës së parë kërkon të jetë kryesuese e kampionatit. Ja dhe intervista e plotë me trajnerin e Barletit Volej, Hasan Gurabardhi.
– E keni nisur sezonin me fitoren e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, por dhe në kampionat keni marrë dy fitore. Ky Barlet deri ku mund të shkojë?
– Fillimi ka qenë i mbarë, normalisht dhe vetë nuk e prisja. Normalisht nuk ishte e lehtë, sepse nga ekipi janë larguar katër lojtare kryesore mes të cilave dhe Enkelejda Braho, e cila ishte pjesë e fuqishme e ekipit. Kemi blerë vetëm dy lojtare, Stërmilla, që ka ardhur nga Korabi, si dhe Vistaraj nga Vllaznia. Lojtaret e tjera aty kanë qenë, por janë të reja të tilla si Çaushaj, Agolli, të cilat s’kanë luajtur ndonjëherë. Ekipi deri më tani i ka kaluar pritshmëritë e mia dhe të presidencës. Normalisht kemi treguar nivel. Është ekip që duhet konsoliduar dhe që duhet të punojë shumë e të mos bjerë në vetëkënaqësi. Do të mundohemi t’i marrim ndeshjet nga e një.
– Të shtunën përballë Partizanit, e keni mundur në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, 3-1, do të jetë po kaq e lehtë dhe tani?
– Jo! Asnjëherë, edhe ajo finale nuk ka qenë e lehtë. Duhet të dini se Partizani është kampion në fuqi. I janë larguar lojtare, por përsëri është përforcuar. Ka marrë katër lojtare të ekipit kombëtar, që janë të formacionit bazë, dy të kombëtares së të rejave dhe përpara dy javësh dhe një lojtare të huaj nga Ukraina. Nuk e kemi kurrë të lehtë, madje ato janë favorit. Pra janë pretendent për titull kampion dhe janë ekipi për t’u mundur. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të dalim ne të fituar.
– Ju keni qenë të pranishëm në derbin Tirana – Partizani, ku dhe keni parë ukrainasen Ugrenko. Si është dukur?
– Një volejbolliste mjaft e fortë, lojtare e pozicionit katër për të cilat skuadrat shqiptare kanë shumë nevojë. Ishte pritëse e mirë e topit të parë, bënte shërbim shumë të fortë. Sigurisht që do të vijë duke u rritur, aq më tepër që një pjesë e skuadrave shqiptare janë ende në kolaudim e sipër. Por që duhet vlerësuar maksimalisht si e gjithë skuadra e Partizanit.
– Së fundi në përfundim të fazës së parë ku e mendoni skuadrën tuaj?
– Ne jemi me objektivin për vendin e parë. Nëse mundim Partizanin na mbetet vetëm Tirana, aq më tepër që kemi mundur një pretendente serioze si Mirdita. Do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund.

GJERGJ VYSHKA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.