VIDEO | Një javë e çuditshme kuqezi: bamirësi, birra pafund dhe… Panuçi

0

Sa shumë ngjarje në pak ditë, por sa shumë për t’u mbajtur mend. Kombëtarja ishte “sebepi” dhe gjithçka nisi një javë para ndeshjes me Skocinë. Skenën e morën pikërisht tifozët miq. Tartan Army mbërritën në Shqipëri të shumtë në numër, rreth 2500.

I gjeje kudo nëpër kryeqytet. Të dashur, të qeshur, foto pafund me njerëzit rrugëve, ndërkohë që ikën duke shtrënguar duart me tifozët shqiptarë. Ajo që ndodhi pas ndeshjes në “Loro Boriçi” ishte si fundi i një dasme, sikur po përcilleshin miqtë e rinj. Një fakt tjetër që nuk duhet lënë mënjanë, Shqipëri-Skoci kishte përfunduar 0-4.

Edhe një ditë pas ndeshje shihje në kryeqytet sërish tifozë skocezë, lehtësisht të dallueshëm prej fustanellës së tyre karakteristike. Në Shkodër i shihje të këndonin edhe shqip: sigurisht aq sa dinin, por nëse do të rrinin edhe disa ditë më shumë, me siguri do e kishin mësuar. Vijnë nga një vend i pushtuar dhe ngjajnë shumë me ne, ndaj u pa gjithë ajo dashuri.

Pastaj, edhe pse kishin pirë birra pa fund, me gishtat e njërës dorë mund t’i numërosh ata që përfunduan në Urgjencë. Në fakt klub “Urgjenca” ishte shtëpia e tyre ku festuan në kryeqytet. Këngë, birra, lojëra dhe të qeshura me lot. Ikën të gëzuar dhe na “ngatërruan” me… Panuçin.

ITALIANI – Në daljet publike të gjithë thonë se në kombëtare ka shumë harmoni. Gjithsesi të paktë janë ata që e besojnë. Rregullat strikte të trajnerit nuk do mend që e kanë mërzitur ndonjërin, për të mos thënë se kjo ka ndodhur me pjesën më të madhe të futbollistëve.

Gjithsesi humbja me Skocinë bëri që në stadium të shpërthenin ofendimet ndaj Panuçit. Hera e parë. Revolta më parë ka pasur vetëm në rrjetet sociale, por në “Loro Boriçi” tifozët ishin të papërmbajtshëm. Ajo ndeshje, sikurse ka raportuar më parë edhe “SportEkspres.com”, ka vendosur edhe fatin e italianit.

Fitorja me Uellsin për ndokënd shihet si një mundësi që presidenti Armand Duka të mendohet mirë për vendimin që do të marrë. Dihet që mes palëve ka një kontratë, sikurse është parë nga të gjithë edhe që në Nations League ka dështuar keq. E pranoi edhe vetë: “Kam gabuar, tani duhet të luajmë në mbrojtje”. Por a do t’ia japë kush shansin e dytë? Të shohim…

RISITË– TKZ ka ardhur me një risi këtë herë. Mbështetësit kryesorë të kombëtares, zhvilluan dy ndeshje miqësore me tifozët skocezë dhe uellsianë. 1-1 ndaj Tartan Army Select, kurse në takimin e dytë ndaj uellsianëve golat ishin plot tetë, por sërish paqe. 4-4 dhe në fund festë së bashku.

Tifozat Kuq e Zi vs Tartan Army (Speciale)

Tifozat Kuq e Zi vs Tartan Army (Speciale)

Gepostet von DigitAlb am Samstag, 17. November 2018

Por ka pasur edhe të tjera ngjarje interesante. Tifozat Kuqezi gjatë këtyre ditëve dhuruan libra shqip për shkollat në Preshevë, mbollën pemë në malin e Taraboshit në Shkodër, si dhe të ardhurat e fituara nga një “show” televiziv i dhuruan për bamirësi.

Patriot eshte dhe ai qe i dhuron vendit te tij nje peme.. ^_^Ne kuader te 15 vjetorit te krijimit te "Tifozave Kuq e…

Gepostet von EKO Mendje am Samstag, 17. November 2018

Tartan Army gjithashtu bëri një gjest mjaft të bukur, duke dhuruar 5 mijë sterlina për “Jonathan”, një organizatë jo fitimprurëse e cila ndihmon fëmijët me Sindromën Down, çrregullime të spektrit të autizmit dhe nevoja të tjera të veçanta.

UELLSIANËT – Vulën gjithë kësaj jave ja vunë uellsianët. Rreth 2000 vetë kishin mbërritur në Shqipëri dhe ishin më të shumtë se tifozët tanë në stadium. Ishte vetëm një ndeshje miqësore, por çfarë rëndësia ka: ata duan vetëm futboll dhe birra. i shijuan këto, por në fund humbën.

Sigurisht as kjo nuk është se kishte shumë rëndësi për ta. Na dhanë një mësim edhe ne, të shkojmë në stadium e të shijojmë çdo moment, pavarësisht se sa e rëndësishme është ndeshja. Padyshim nuk jemi në kushte të barabarta, duke ditur nga vijnë dhe sa përfitojnë financiarisht. Gjithsesi milionat e tyre nuk i bënë ballë djemve tanë, që mund të buzëqeshin gjatë festave të fundvitit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.