“Verrati, i burgosur i Emirit”

Marko Verrati dëshiron Barcelonën, Barça dëshiron Verratin, në mes… PSG. Transferimi i përfolur i mesfushorit italian në Spanjë nuk po realizohet vetëm për faktin se klubi francez refuzon çdo tentativë të katalanasve për të nisur bisedimet. Fundja, është e drejta e tyre: nëse i paguan një futbollisti miliona euro në vit dhe i jep një vend në formacion, pse ky i fundit ka të drejtë të kërkojë largimin?

Megjithatë, presidenti i Barcelonës, Hosep Maria Bartomeu, e sheh ndryshe. Duke folur për Mundo Deportivo, ai akuzon PSG-në se po e mban kundër dëshirës së tij Verratin: “Verrati na intereson, trajnerët e pëlqejnë dhe mendojnë se është për mesfushën e Barcelonës, ndërsa dimë që vetë lojtari është entuziast në lidhje me një transferim te ne. Megjithatë, kur merr në telefon presidentin e PSG-së, ai thotë se Verrati nuk është në shitje dhe nuk ka asnjë klauzolë shitjeje”.

Më i ashpër agjenti i Verratit, Donato Di Kampli, i cili për Corriere dello Sport ka akuzuar presidentin e PSG-së Naser Al-Kelaifi se po e mban me zor Verratin në Paris: “Marko Verrati është i burgosur i Emirit. El-Kelaifi më ka thënë që nëse ai e shet Verratin, nuk do t’ia falin kurrë në Katar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *