Van Dijk: Po “fluturojmë” falë… Klopit! Është unik, ju tregoj sekretet e stërvitjes

Virxhil Van Dijk u ble në janarin e kaluar nga Liverpuli për shumën e 75 milionë sterlinave dhe sot është një nga mbrojtësit më të mirë në botë. “Muri” holandez është rritur shumë që nga koha kur ishte pjesë e Sauthemptonit dhe kjo ka ndodhur falë Jurgen Klop.

Gjermani është shpirti i Liverpulit dhe Van Dijk rrëfen për “The Mirror”, bisedën e parë më trajnerin e ri dhe sekretin e harmonisë dhe lumturisë te Liverpuli. Trajneri është i veçantë, stërvitjet janë sfilitëse, shpeshherë tregohet dhe i ashpër me kritikat përpara të gjithëve, por e gjitha kjo po jep frytet e saj.

KLOP – “E mbaj mend mirë bisedën me Klop sapo erdha te Liverpuli. Klubi pagoi shumë për kartonin tim, por trajneri më qetësoi. ‘Të gjitha gjërat e mira kushtojnë’, më tha Klop. Unë mendoj se ai është unik dhe nuk është thjeshtë një trajner. Ai menaxhon gjithçka dhe është një nga shkaqet pse zgjodha Liverpulin. Vjen gjithmonë në stërvitje duke buzëqeshur dhe është i lumtur kur të sheh. Mjafton të shohësh përqafimet që të jep gjithmonë para dhe pas ndeshjes. Kjo gjë të bën të ndihesh shkëlqyeshëm.”

STILI I PUNËS – “Nëse dikush bën gabime, ai di të tregohet dhe i ashpër. Ta thotë gjithçka në sy në publik përpara të gjithëve. Kjo është diçka e rëndë, por në të njëjtën kohë e pranojmë, sepse ka të drejtë. Mendoj se jam përmirësuar shumë falë tij. Gjithçka që flitet për të është e vërtetë. Klop të bën të punosh shumë. Gjatë fazës përgatitore dëgjon vetëm një fjalë nga goja e tij: ‘vrapo, vrapo, vrapo pa pushim’. Diçka klasike për një gjerman. Kur mendon se ka mbaruar gjithçka, ai të kërkon dhe më shumë. Dëshiron shpejtësi dhe intensitet. Në fillim e kisha të vështirë, por tani e kuptoj se ajo gjë më ka ndihmuar. Ajo punë e vështirë më ka përmirësuar, jo vetëm mua, por të gjithë lojtarët. Gjëja më e bukur e Liverpulit është që në çdo ndeshje vijnë të gjithë legjendat e klubit për të na ndjekur, madje Keni Daglish më dhuroi numrin e tij kur erdha këtu.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *