Tragjedia përjetëson Salën, Nanta e kthen në legjendë

Emiljano Sala do ta ketë emrin përkrah shumë legjendave të futbollit botëror, për shkak se klubi i Nantës ka marrë vendimin që të tërheqë fanellën me numër që argjentinasi mbante gjatë periudhës që u aktivizua me francezët. Një vendim që e përjetëson ish-sulmuesin, i cili mori vëmendjen e gjithë medias sportive botërore ditët e fundit.

Rrëzimi i avionit me të cilin Sala po fluturonte drejt Kardifit nuk shkoi si duhet dhe 28-vjeçari humbi jetën në mënyrë tragjike. Në orët e vona të ditës së djeshme u gjet edhe trupi i pajetë i Sala, i cili ishte blerë nga Kardifi për shumën rekord të 17 milionë eurove. Por kush janë lojtarët e tjerë që klubet i kanë respektuar duke tërhequr numrat e tyre. Më poshtë ju sjellim listën e plotë.

NGA MILANI, TEK INTERI  – Franko Barezi, ish-mbrojtësi italian i Milanit në periudhën 1977-1997. Kuqezinjtë hoqën nga qarkullimi fanellën me numrin 6 në nder të asaj çka ai dha për skuadrën italiane. Paolo Maldini është padyshim një legjendë Milanit. Lojtari “flamur” i kuqezinjve, nga vitit 1985 deri në vitin 2009, ka fituar gjithçka në nivel klubesh. Një lider në fushë dhe jashtë saj. Milani ishe i detyruar ta tërhiqte numrin tre që ai ka mbajtur gjatë karrierës së tij.

Interi, ashtu si Milani, ka tërhequr dy numra: konkretisht treshin dhe katrën. I pari në nder të ish-mbrojtësit Xhakinto Faketi, i cili më pas u bë edhe president. Si lojtar u aktivizua në periudhën 1960-1978. Prej Havier Zanetit Interi ka tërhequr numrin 4. Argjentinasi veshi fanellën zikaltër nga vitit 1995, deri në vitin 2014.

LEGJENDAT – Edhe braziliani Pele është nderuar nga amerikanët e Nju Jork Kozmos, klub me të cilin legjenda e futbollit botëror është aktivizuar mes viteve 1975-1977. Numri 10 është tërhequr në nder të tij.

Të flasësh për Diego Armando Maradonën duhet një natë dimri. Argjentinasi mahniti botën me kombëtaren e tij dhe me Napolin gjatë periudhës 1984-1991. Klubi italian e nderoi më pas dhe numrin 10 pas tij nuk e ka mbajtur askush në kurriz.

Holandezi fluturues, Johan Krujf, është ndarë nga jeta, ndërkohë që Ajaksi në nder të tij ka tërhequr numrin 14. Sulmuesi bëri epokë, teksa ishte pjesë e holandezëve në dy periudha: 1964-1973 dhe 1981-1983.

Roberto Baxhio është një nga  sulmuesit e shumë-shëtitur në Itali. Ka provuar të veshë fanellën e Milanit, Interit dhe Juventusit. Gjithsesi numrin 10 e ka tërhequr Breshia, që e kishte në ekip bishtalecin në periudhën 2000-2004.

Uest Hemi ka nderuar legjendën Bobi Mur me heqjen e numrit 6 nga qarkullimi. Ish-kampioni i botës me Anglinë në vitin 1966, ka qenë pjesë e londinezëve në periudhën 1958-1974. Mbetemi në Angli, aty ku Çelsi ka nderuar ish-sulmuesin Xhanfranko Zola. Blutë e Londrës kanë tërhequr numrin 25. Italiani ishte pjesë e tyre në periudhën 1996-2003.

“MODË” NË ITALI – Davide Astori është përjetësuar te Fiorentina, klub që ka hequr nga qarkullimi fanellën me numrin 13 që e mbante kapiteni. Italiani vdiq vjet në prill dhe me ekipin vjollcë luante që prej vitit 2015. Edhe Kaljari, ish-klubi i tij në periudhën 2008-2014, e ka tërhequr numrin 13.

Piermario Morosini është një nga ata lojtarë që ka vdekur në fushën e blertë. I ndodhi kur ishte pjesë e Livornos në vitin 2012. I njëjti klub ka tërhequr edhe numrin 10, ndër të ish-sulmuesit Igor Proti. Italiani ka qenë  pjesë e këtij klubi në periudhat 1985-1988 dhe 1999-2005.

Bolonja ka tërhequr numrin 27 në nderim të mbrojtësit Nikolo Gali, pjesë e kuqebluve në sezonin 2000-2201. Te Kievo numri 30 nuk mbahet më nga asnjë lojtar. Xhason Majele, ish-sulmuesi i Republikës Demokratike të Kongos është nderuar me këtë veprim të klubit. Edhe Peskara ka bërë të njëjtën gjë me Vinçenzo Zukini, lojtar i tyre nga vitit 1973 deri në 1979. Numri 25 është tërhequr edhe nga Viçenca, që e ka pasur në ekipin Morosinin në periudhën 2007-2009.

Xhenoa ka tërhequr numrin 6, që është mbajtur nga Xhanluka Sinjorini, mbrojtësi italian që ka qenë pjesë e këtij klubi në periudhën 1988-1995. I njëjti klub ka tërhequr edhe numrin 7, që ëshët mbajtur nga Marko Rosi. Ky i fundit ka luajtur me Xhenoan në sezonin 2003-2004 dhe më pas në periudhën 2005-2013.

Kaljari ka respektuar ish-sulmuesin Xhixhi Riva. Lojtari, që spikati në vitet 1963-1976, mbante asokohe numrin 11. Klubi sard e ka tërhequr numrin e mbajtur prej Rivës.

NGA SPANJA, NË ANGLI – Antonio Puerta pësoi atak kardiak në fushë dhe më pas vdiq. Mesfushori spanjoll “detyroi” Seviljen të tërheqë numrin 16 në nder të tij. Ai ishte pjesë e klubit andaluzian në periudhën 2003-2007.

Mark Vivian Foe vdiq në fushë në një ndeshje të Kamerunit. Ai ishte pjesë e Mançester Sitit në sezonin 2002-2003 dhe klubi anglez ka tërhequr numrin 23 që mbahej nga mesfushori.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *