Torasa dhe Ekuban, ju kujtohet lista e Moxhit?!

 

Mos e lexoni “Sport Ekspresin” se shkruan që Torasa do të largohet… Mos e lexoni “Sport Ekspresin” se thotë që Ekuban i ka mbyllur punët me Partizanin dhe se nuk vjen më… Mos e lexoni dhe për shumë arsye të tjera…

Kështu pra, në këtë vend, sulmi i paprecedentë që iu bë gazetës tonë u kalua me vetëm fyerje, sharje dhe, në fakt, ata që ishin në krye të klubit, menduan se vetëm kështu do të mund të shpëtonin nga një tjetër sezon ku në fund nuk fituan dot titullin, ku barazuan me Laçin dhe në Vlorë, apo ku në Tiranë, ndaj Kukësit, nuk patën forcën për të mundur skuadrën verilindore.

Jemi thuajse në mes të qershorit dhe kur erdhi Moxhi këshilltar, shkruajtëm për ndryshimet e mëdha në skuadër dhe përbërje, në një listë largimesh, sepse nuk bënin për këtë skuadër e kështu me radhë. Sot, të kuqtë kanë humbur Torasën, Ekubanin, por edhe Cetkovic dhe Ramadanin, ndërsa nuk do të ndalet asgjë këtu dhe do të vijojë me dëbimet e tjera, pasi kështu është vendosur.

A po, harruam edhe Bonifejs, ylli që do të bënte karrierë te të kuqtë dhe që nuk di të stopojë topin. E pra, në shkurt thamë se ky lojtar nuk do të vazhdojë më, për të vetmin fakt se nuk bën dhe se erdhi këtu në Shqipëri për të futur disa para në xhep dhe kaq.

Nuk është se ne jemi e vërteta absolute, por s’mund të bëjmë as rolin e hipokritit. Gazetari është ai që shkruan sipas asaj që ka dëgjuar, por edhe ka kuptuar nga biseda të ndryshme. Është ai që i futet shpesh edhe një logjikimi të thjeshtë.

Madje, për të vijuar më tej, trajneri Starova ka qenë shumë pranë largimit dhe është ndjerë i lodhur, por gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim, shumë shpejt, atëherë kur sërish do të vijë një lajm që do të habisë të gjithë, por jo ne, që e shkruam, të jeni të sigurt për këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *