Tek Bajerni i druhen gjyqtarit turk!

Caktimi i turkut Xhenejt Çakër për të vënë drejtësi në takimin mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut nuk është pritur shumë mirë në Mynih. Ndaj në kampin bavarez kanë lëshuar sinjale të qarta në adresë të gjyqtarit Çakër.

Trajneri Jup Hajnkes dhe kapiteni Tomas Myler duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Realit kanë theksuar rëndësinë që mund të ketë gjyqtari. “Unë pres që gjyqtari të jetë objektiv në vendimet e tij, i drejtë, i paanshëm dhe korrekt. Cilido qoftë rezultati i takimit, dëshiroj që ai të vendoset nga 22 lojtarët në fushë dhe jo ng gjyqtari”- ka komentuar Hajnkes. Në një linjë me trajnerin ka qenë dhe kapiteni Tomas Myler.

Sigurisht që ngjarjet e një sezoni më parë në Madrid nuk janë harruar ende. Ndaj mbizotëron dhe njëfarë ankthi në radhët e bavarezëve. “Ne jemi të përqendruar tek ndeshja. Nuk duam të vëmë nën presion gjyqtarin, sepse ata kanë mjaftueshëm presion nisur nga rëndësia e takimit.

E gjithë bota e ka parë vjet se jemi eliminuar me dy gola në pozicion jashtë loje. Ndaj nuk do të doja që gjyqtari i sotëm të ndikohej nga presioni në Madrid. Nuk mendoj se ndonjë gjyqtari i intereson të bëhet objekt bisede pas ndeshjes”- ka thënë Tomas Myler.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *