Skënderbeu zgjedh Greqinë për fazën përgatitore

0

 

Më 5 korrik kampionët do të fillojnë grumbullimin në Korçë, ndërkohë që 10 ditë më pas do të nisen për zborin në vendin fqinj

Leonard Trebicka

Skënderbeu do ta zhvillojë në Greqi fazën përgatitore verore. Ky është vendimi që kanë marrë drejtuesit e klubit korçar, të cilët këtë verë nuk mund të shpenzojnë si vitet e fundit, kur r kanë zhvilluar fazën përgatitore në Austri apo Spanjë. Udhëtimi i Skënderbeut për në shtetin fqinj do të bëhet në mes të muajit korrik dhe kjo është hera e parë në këto 8 vitet e fundit që kampionët do të stërviten në Greqi. Më parë bardhekuqtë janë stërvitur në Turqi, Portugali, Austri, Slloveni, apo edhe Spanjë. Nuk është zyrtarizuar ende qyteti apo kampingu, ku do të akomodohet Skënderbeu, por është e sigurt se faza do të bëhet në Greqi. Për gati një muaj Skënderbeu do të zhvillojë një fazë të plotë përgatitore, për të qenë gati më pas për startin e sezonit të ardhshëm.

GRUMBULLIMI – Gjithsesi, përpara se Skënderbeu të udhëtojë në drejtim të Greqisë për fazën përgatitore, më 5 korrik klubi ka programuar grumbullimin dhe nisjen e stërvitjes. Gjasat janë të mëdha që Skënderbeu, ndryshe nga vitet e tjera, kur grumbullohej në qytetin bregdetar të Durrësit, të grumbullohet në qytetin e Korçës. Klima këtu është më e freskët dhe më 5 korrik të gjithë futbollistët do të mbërrijnë në juglindje për të filluar përgatitjet. Në Korçë Skënderbeu do të qëndrojë afërsisht 10 ditë dhe në mes të korrikut më pas do të niset drejt Greqisë për zhvillimin e fazës përgatitore verore. Çdo verë ishim mësuar ta shikonim Skënderbeun në Europë, por këtë herë është ndryshe, pas dënimit të UEFA-s. Për këtë arsye, drejtuesit dhe stafi teknik e kanë marrë punën shtruar.

SKËNDERBEU – Pikëpyetja më e madhe tani është se cili do të Skënderbeu i sezonit të ri. As vetë drejtuesit nuk dinë të japin një përgjigje të saktë, pasi nuk kanë mbyllur asgjë në lidhje me listën përfundimtare. Dihen vetëm lojtarët nën kontratë, si Abazi, Gripshi, Krasniqi, Sahiti, Sambou, Demte, apo edhe të tjerë. Janë 13 lojtarë që e kanë të sigurt qëndrimin. Po ashtu, dihet që edhe 3-4 lojtarë të huazuar do të kthehen dhe numri i shkon në 19 lojtarë.

Pritet që ditët në vazhdim të mësohen edhe të tjerët që do të mbushin ekipin. Nga stafi teknik është pranuar dje se po vazhdon vëzhgimi i futbollistëve nga Franca dhe Brazili, për të përzgjidhen ata që i bëjnë punë Skënderbeut në sezonin e ardhshëm. Gjithçka mund të ndodhë, sepse merkatoja sapo ka filluar dhe Skënderbeu ka kohën e duhur deri në mes të muajit gusht për të zyrtarizuar ekipin e ri.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.