Skënderbeu dhe viti 2017, edhe statistikat botërore e nderojnë

Sukseset e korçarëve bëjnë që ata të ngjitin 378 shkallë në dy vite dhe të lënë pas edhe ekipe si Lacio, Shalke, Andërleht, Vilareal etj

Leonard Trebicka

Skënderbeu është ekipi më i mirë në historinë e futbollit shqiptar sa i takon paraqitjes në Europë, nuk ka diskutim. Dy herë në grupet e Europa League dhe 4 ture të kaluar, si asnjë ekip tjetër shqiptar. Dhe ja ku vjen një sukses tjetër historik, vendi i 47të në renditjen e shpallur së fundi IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë së Statistikave në Futboll).

Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë klubi Skënderbeu. Ekipi korçar renditet në vend të 47-të në këtë renditje të 400 klubeve nga e gjithë bota, ku kryeson Reali i Madridit dhe më pas vijnë Gremio, Mançester, Barcelona dhe më radhë. Renditja bëhet duke pasur parasysh rezultatet e gjithë vitit 2017 në Europë dhe në kampionat. Skënderbeu është katapultuar në vend të 47-të, me 167 pikë, aq sa ka edhe AEK-u i Athinës. Shumë pranë klubit shqiptar, që po shkruan tashmë historinë, janë edhe Roma, që ndodhet në vend të 44-t, apo edhe Milani e Napoli. Një lajm, që i ka gëzuar jo vetëm korçarët, por edhe më gjerë, sepse të gjithë ndjehen krenarë, kur shikojnë një skuadër shqiptare në një pozicion të tillë. Për më tepër, Skënderbeu ka lënë pas klube me shumë emër si Lacio, Borusia Dortmund, Ludogorets, Korinthias, Ajaks, Shalke, Vilareal, apo edhe Porto, Atalanta etj. Korçarët po arrijnë majat dhe ky sukses u duk qartë që me ecurinë e ekipit në Europë.

KLUBI – Klubi bardhekuq postoi pasditen e djeshme në faqen zyrtare lajmin e bujshëm, duke shkruar: Një ngjitje e jashtëzakonshme e Skënderbeut në renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në Futboll, që ka publikuar sot (dje) klasifikimin e 400 klubeve, bazuar në statistikat dhe rezultatet për vitin 2017. Ekipi korçar mban vendin e 47-të në renditje, bashkë me AEK-un e Athinës, duke përmirësuar klasifikimin me 378 pozicione nga viti 2016. Paraqitja e mirë në Europa League ka ndikuar në këtë klasifikim, që përllogarit edhe rezultatet në kampionatin vendas. Natyrisht, një fitore apo një barazim në nivelet ndërkombëtare vlen shumë, pasi Skënderbeu ruajti edhe pathyeshmërinë në shtëpi në këtë sezon të Kupave të Europës. Skënderbeu lë pas shumë ekipe të njohura, si Borusia Dortmund, Ajaks e Shalke, apo edhe Partizanin e Beogradit, që e mbylli në vendin e dytë në grupin e ekipit korçar. Në këtë listë të 400 ekipeve nga e gjithë bota është edhe Kukësi, që renditet i 306-ti. Klasifikimi udhëhiqet nga Reali i Madridit, fitues i kampionatit në Spanjë, Champions League dhe Botërorit të Klubeve. Një rekord dhe vlerësim absolut për klubin bardhekuq, që dëshmon edhe një herë se viti që lamë pas ishte më i miri në bazë të statistikave dhe rezultateve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *