Sheva: Po kthehet Seria A e “7 motrave”

Sulmuesi legjendar i kuqezinjve, para Lacio-Dinamo Kiev: “E dashur Itali, jam kundër teje në kupat e Evropës. Gatuzo i ka kthyer identitetin Milanit”

Shevçenko e ka mbyllur me futbollin e luajtur, por mendja nuk i ndahet nga Italia dhe “Stadio Olimpico”. “Një stadium i mrekullueshëm, që të përçon emocione të forta edhe pse ke mbi 60 mijë vetë kundër. Gjithnjë më ka pëlqyer të luaj në Romë”. Logjike për një kampion si ai, sepse që në ndeshjen e tij të parë në këtë stadium me Milanin arriti t’i shënonte një trigolësh Lacios. E kujtime të tilla nuk harrohen lehtë. Andrin Shevçenko i rritur tek Dinamo e Kievit ka kaluar 8 vjet në Itali me Milanin dhe jo më kot tani që është trajner i kombëtares së Ukrainës ka zgjedhur dy bashkëpunëtorë italianë, ish-lacialin dhe ish-milanistin Mauro Tasoti dhe ish-milanistin Andrea Maldera. Dhe ai është shumë i interesuar në këtë moment për Italinë, duke qenë se në pak ditë do të ketë një përballje të dyfishtë evropiane mes klubeve ukrainase e atyre italiane. Roma përballet me Shahtjorin në Champions, ndërsa Lacio me Dinamon e Kievit në Ligën e Evropës. Sheva do të mbërrijë në Romë për takimin e kthimit në Champions, teksa ndihmësi i tij Tasoti do të shohë Dinamon e Kievit përballë Lacios së Strakoshës. Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, trajneri i kombëtares ukrainase ka folur dhe për futbollin italian në tërësi dhe ish-Milanin e tij.

– Si i shihni dy takimet e Shahtjor Donjetskut në Ligën e Kampioneve kundër Romës?

– “I ndjek si një trajner i kombëtares së Ukrainës. I shoh me një sy tjetër, me atë të progresit e përparimit në arenën ndërkombëtare. Shahtjori është një skuadër e konfirmuar tashmë, një skuadër e ndërtuar prej vitesh me një trajner mjaft të aftë dhe me një grup lojtarësh që punojnë prej vitesh së bashku. Është një skuadër që ka mundur Mançester Sitin në Ligën e Kampioneve dhe kjo do të thotë diçka. Mundi të kualifikohej në një grup shumë të vështirë, sepse veç Sitit ishte dhe Napoli. Pra kemi të bëjmë me një skuadër të aftë në gjendje të shkojë më tej në Evropë.”

– Dinamo e Kievit në ndryshim nga Shahtjori është një skuadër e re…

– “Po, është një skuadër e re që po rritet vazhdimisht. Është një Dinamo krejt e ndryshme nga ajo e kohës time. Ka disa lojtarë interesantë, por i mungon eksperienca aq shumë e nevojshme në Evropë. Mendoj se Dinamo e Kievit është një skuadër e rrezikshme që mund t’i hapë shumë punë Lacios. Por ata janë ende në ristrukturim e sipër, ndryshe nga Shahtjori, një skuadër e kompletuar dhe që i ka të gjitha mundësitë për të kaluar Romën dhe të kualifikohet për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Unë si trajner i kombëtares së Ukrainës do të uroja që një nga ekipet në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Evropës të shkonin më tej, sepse kanë shumë lojtarë të cilëve u nevojitet të fitojnë sa më shumë përvojë në kupat e Evropës. Pastaj mos harroni se Kievi do të presë finalen e Ligës së Kampioneve ndaj është e rëndësishme për Dinamon dhe Shashtjorin të bëjnë një figurë të miërë në kupat e Evropës.”

– Kush janë lojtarët për t’u pasur në konsideratë?

– “Ata të Shahtjorit njihen tashmë në të gjithë Evropën, sepse janë veteranë: Marlos, Tajson sa për të përmendur dy emra, sikurse dhe portieri i kombëtares ukrainase Pjatov. Tek Dinamo janë një grup i mirë lojtarësh nga kombëtarja U21.”

– A ngjajnë me ndonjë skuadër italiane dyshja Shahtjor-Dinamo?

– “Jo, sepse fuqia financiare, ekonomike është shumë e ndryshme. Kjo e bën të pamundur krahasimin.”

– Çfarë shansesh kanë dy klubet ukrainase përballë Romës e Lacios?

– “Nuk më pëlqen të flas me shifra. Unë shpresoj që dyshja Shahtjor e Dinamo të përballen si të barabartë me Romën e Lacion, të luajnë deri në fund shanset e tyre. Jemi të gjithë duke punuar fort për të ardhmen e futbollit ukrainas. Mendoj se më të keqen e kemi lënë pas.”

– Po për futbollin italian çfarë mendimi keni?

– “Ka kaluar një moment shumë të vështirë, një moment rënie drastike, por tani po kthehet ai i dikurshmi, edhe pse me hapa të vegjël. Jam i bindur se me këtë ritëm futbolli në Serinë A po kthehet ai i rreth 10 viteve më parë kur unë erdha në Itali. Po kthehet futbolli i periudhës së 7 motrave. Tashmë nuk janë vetëm Juventusi dhe Napoli. Edhe skuadrat e tjera janë faktorë të rëndësishëm për titullin. Roma, Lacio, Milani e Interi mund të luajnë deri në fund për përmbushjen e objektivave të rëndësishëm. Më në fund Italisë dhe Serisë A po i kthehet rivaliteti dhe konkurrueshmëria që i mungonte prej disa sezonesh.”

– A keni luajtur ndonjëherë kundër Simone Inzagit dhe Eusebio di Françeskos?

– “Po, por tani duhet të flas ndryshe, sepse unë dhe ata jemi në detyra të reja, jemi trajnerë. Ndaj dua të ndaj dy fjalë në lidhje me aftësitë e tyre drejtuese. Njëri e nisi nga të rinjtë, tjetri nga province dhe të dy po bëjnë një punë të shkëlqyer.”

– Një tjetër trajner i ri që po bën një punë të madhe është dhe Gatuzo. Ai ka kthyer Milanin në garë për një vend në Champions. Si e shihni atë në stol?

– “Rino i ka ndryshuar fytyrën Milanit. I ka dhënë një identitet. Ai dëshiron një skuadër konkurruese, agresive. Kështu ka qenë dhe si lojtar ndaj nuk habitem. Është një nga ata që nuk të fal asnjë milimetër. Mendoj se është trajneri i duhur që i nevojitej Milanit.”

– Por ish-shoku juaj i ekipit ka marrë mbi vete një risk të madh pas dështimit të ish-lojtarve të tjerë në drejtimin e Milanit?

– “Rino nuk ka frikë nga asnjë, nga asgjë. Atij i është ofruar një shans dhe ai po e shfrytëzon. Do t’i uroja kualifikim të mëtejshëm në kupat e Evropës, edhe pse një derbi mes Milanit dhe Dinamos së Kievit nuk do ta kisha shumë të lehtë ta shihja.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *