Rexhinaldo humbet dhe Vllazninë, Laçi në hall për sulmin

Sulmuesi lajmëron se do të jetë gati për më pak se dy javë, por humbet ndeshjen e radhës me shkodranët

Laçi vijon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit të ri, Gentian Mezani. Kurbinasit pas dy humbjeve të fundit synojnë që të kthehen te fitorja në ndeshjen e javës së katërt, ku do të presin në shtëpi Vllazninë. Tekniku i ri vlonjate synon që ta nisë mbarë aventurën e tij në radhët e bardhezinjve. Projekti i këtij edicioni është bazuar tek elementët e rinj me perspektivë, të cilët deri më tani kanë dhënë sinjale mjaft pozitive dhe me një trajner si Mezani, i cili shquhet për punën me të rinjtë mund të sjellë sukses në Laç. Përballë Vllaznisë normalisht nuk do të jetë e lehtë, megjithatë në shtëpi do të synohet vetëm triumfi. Kualifikimi në Kupë u bë akoma më i lehtë seç mendohej, me Sopotin që nuk u paraqit fare, edhe pse Laçi kishte paraqitur skuadrën e të rinjve. Në këtë mënyrë skuadra ka pasur mundësi që të përgatitet pa ndërprerje, megjithatë problematika kryesore mbete çështja e dëmtimeve. Normalisht që vë,mendja kryesore është për sulmuesin Rexhinaldo, i cili ende nuk ka debutuar me bardhezinjët. Mund të konsiderohet një lajm i mirë fakti se tashmë ka një periudhë të caktuar kur sulmuesi nga Mozanbiku do të jetë plotësisht gati për skuadrën. Vetë sulmuesi përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka njoftuar se do të jetë i gatshëm për më pak se dy javë, teksa shkruan: “Unë do të jem gati, ndoshta për një javë ose dy më së shumti. Më e keqja ka marrë fund. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj” përfundon postimi i tij. Gjithsesi, fakti që 27-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Vllazninë bën që tekniku i ri të mendojë për një tjetër alternativë. Fakti që pas ndeshjes së radhës do të jenë gati dy javë pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, çka i mundëson Rexhinaldos kohën e mjaftueshme për të arritur disi ritmin e skuadrës. Gjithsesi, cilësisë e Rexhinaldos dihen dhe në Laç e presin me entuziazëm që të zbresë në fushë, pasi pritshmëritë për të janë mjaft të mëdha, ku shpresohet se do marrë skuadrën përdore drejt suksesit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *