Pikëpyetja e portës së Atalantës, Golini apo Berisha? Vendos Gasperini

Etrit Berisha e ka humbur vendin e titullarit kundrejt Pierluixhi Golinit. Ky i fundit u aktivizua në ndeshjen e mbrëmshme me Kopenhagenin për të pestën herë radhazi në formacionin e Atalantës. 23-vjeçari i ardhur sezonin e kaluar nga Aston Vila ka pritur momentin e tij dhe tashmë është rritur goxha duke ulur Berishën në stol.

Gardiani i kombëtares ishte pranë largimit dhe Lila në Francë interesohej për shërbimet e tij, por asgjë nuk ndodhi dhe Berisha vazhdon me Atalantën. Trajneri Gasperini foli para ndeshjes me Frosinonen, ku deklaroi se do të përdorte rrotacionin midis dy portierëve, por akoma nuk ka ndodhur diçka e tillë. Ndoshta një përgjigje klasike për të rritur konkurrencën dhe për t’i mbajtur të dy të përqendruar, por për momentin kanë ndryshuar raportet.

Vjet ishte Etrit Berisha titullar dhe Golini zëvendësi i tij, ndërsa situata është ndryshe në fillimin e sezonit të ri. 29-vjeçari i kombëtares ka luajtur si titullar vetëm sfidën e kthimit kundër Sarajevos në Ligën e Europës, ndërsa ai pret për të shfrytëzuar shansin e tij dhe për t’u rikthyer në formacionin e Atalantës. Italianët u eliminuan nga Europa dhe tashmë mbeten vetëm ndeshjet e kampionatit dhe kupës. Atalanta pret Kaljarin të dielën dhe pritet me interes se cili nga të dy portierët do e nisë nga minuta e parë. Shpresojmë të jetë Etriti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *