Padi në FIFA për Tiranën, bardheblutë kërkojnë edhe 3 afrikanë

Xhorxh Odhiambo, Godfri Ualusimbi e Zhak Tujisenge sipas Gor Mahias janë shënjestrat e radhës së Ze Marias

Olsi Avdiaj

Tjetër padi për Tiranën nga klubi i Gor Mahias. Duke parë largimet e dy lojtarëve Keneth Muguna dhe Musa Muhamed, nga Kenia vjen padia e madhe. Sipas kenianëve, Tirana nuk po sillet në mënyrë të hijshme, duke cënuar marrëdhëniet me lojtarët e tyre. Klubi kenian kërcënon se Tirana nuk po i merr lojtarët në mënyrë ligjore dhe duke mos paguar paratë, që u ka premtuar. Vetë klubi ka paralajmëruar Mugunën se ka ende 2 vite kontratë me skuadrën keniane dhe nuk mund të largohet si pa të keq. Shefi ekzekutiv i klubit, Lodvik Aduda kërcënon bardheblutë për sjellje jo korrekte dhe këto veprime do t’i padisë në FIFA. “Mund të konfirmoj që Tirana na ka kontaktuar në lidhje me Mugunën, por nuk i plotësoi kërkesat tona. Si një agjent i FIFA-s i liçensuar në transferimin e lojtarëve, dua të paralajmëroj Tiranën se nëse vazhdon me të njëjtën mënyrë sjellje, atëherë do takohemi në FIFA. Muguna nuk i përket Tiranës, pasi nuk kanë marrë nga ne lejen e lirimit të lojtarit”, është shprehur keniani. Aduda vazhdon duke folur edhe për kapitenin Musa Muhamed, që sipas tij është në Turqi për një test. “Musa na kërkoi leje për të kryer provë dhe kishte dy javë kohë. Nëse Tirana është e interesuar për shërbimet e dy lojtarëve, duhet të flasë me ne dhe të arrijmë marrëveshje duke plotësuar kërkesat tona. Gjithashtu ju kërkojmë lojtarëve tanë të jenë të kujdesshëm në nënshkrimin e kontratave me klubet jashtë Kenias”, përfundon zyrtari Aduda.

Është hera e dytë që kenianët padisin Tiranën në FIFA. Në verë Gor Mahia FC ka denoncuar në FIFA klubin Tirana. Me një letër zyrtare klubi kenian i shkroi FIFA-s që të ndalonte klubin shqiptar të bënte manovra në mënyrë ilegale me lojtarët që janë nën kontratë. Lajmi u konfirmua nga klubi kenian, që akuzoi bardheblutë, të cilët sipas tyre kishin bërë tratativa të fshehta jashtë rregullave me Kenet Muguna, Godfri Ualusimbi. Por problemi sipas klubit kenian ishte më i madh. Klubi është përballur me kërkesat e lojtarëve dhe largimet e mundshme të Medi Kagere, Oliver Maloba, Musa Muhamed, këta tre shënjestrat e tjera të Tiranës në verë. Musa Muhamed që erdhi te Tirana këtë janar është mbrojtës dhe për gjithë kohën ka luajtur me Gor Mahian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *