“Ngo më i miri, grindej me veten”, rinovimi dhe Tirana në sytë e Halilit

0

“Zakonisht jam mësuar të flas kur humbasim”, tha me shaka Refik Halili pas fitores 3-0 që Tirana regjistroi një ditë më parë kundër Laçit. Normalisht numri një i klubi të bardheblu është i lumtur për atë triumf. “Ishte një ndeshje që në përgjithësi na kënaqi, rezultati është shumë i mirë për ne.  Shpresojmë që të vazhdojë ekipi ecurinë e këtij viti. Jemi të kënaqur”, u shpreh Halili për mediat e pranishme në stadium.

Në fund të pjesës së parë pati dy gola të anuluar, që Halili nuk dëshiron t’i komentojë: “Në përgjithësi u bënë vite që nuk flas për çështje gjykimi. Nuk e di fare, pamë që nuk u dhanë. Dikush më tha që ishin gola, por është pjesë e lojës. Kur rezultati është i mirë në fund, atëherë kënaqemi të gjithë”.

Dy vite më parë Tirana fitoi Kupën e Shqipërisë, por më parë kishte regjistruar për herë të parë rënien nga Superiore. A do e donin trofeun në kampin bardheblu? Sigurisht që po. Halili do vazhdimësinë e ekipit të tij, jo vetëm në kupë, por edhe në kampionat.

“Është shpejt të flasim për trofeun. Për mua është diçka e mirë që po ecën ekipi. E kemi thënë para disa kohësh që shpresojmë t’i kemi lënë të këqijat pas. Besoj te skuadra shumë, madje e kam thënë që më parë që besoj. Po të dalin fjalët e mia do të jetë mirë, po nuk dolën do të jetë keq. Shpresoj të vazhdojmë në rrugën e nisur e të kualifikohemi, sikurse edhe në kampionat të vazhdojmë sikurse deri sot”.

Ngo mungoi për një kohë të gjatë në fillim të sezonit dhe ndoshta me të Tirana do ishte në pozita të tjera. Në fakt, ish-trajneri Ze Maria e thoshte shpesh: “Më duhet një sulmues”. Mema e ka Ngonë dhe anglezi po bën mjaft mirë, edhe pse pati një moment kur pati përplasje me trajnerin. Halili flet edhe për rinovimin e kontratës me sulmuesin shtatlartë.

“Ngo, për mua, është lojtari më i mirë në përgjithësi i klubit tonë. Ngoja në atë kohë ka pasur problemet e tij, është grindur me veten e vet. Them se i ka bërë mirë ajo dhe po ia merr frytet asaj kthese që ka bërë”, shprehet presidenti i Tiranës..

Sa i takon rinovimit, ai shton: “Është shpejt për të folur. Megjithatë ne në heshtje vazhdojmë të flasim, punojmë përditë si klub për vazhdimësinë. Shpresoj të ecim në këtë rrugë. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Shpresoj të mos na marrin në sysh”.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.