Ngërç për “Arenën Kombëtare”, varet nga Bashkia Tiranë

“Arena Kombëtare” mund të jetë gati në muajin shtator, por ka një problem në lidhje me sheshin para tij. Këtë shqetësim e ngre Arben Dervishaj, inxhinier dhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv në FSHF. Së fundmi ai ka lëshuar një deklaratë dhe frika është e madhe që në shtator nuk mund të luajnë në stadiumin e ri kombëtar.

“Stadiumi është gati në 90% dhe në shtator do të jemi në 100% të mbaruar. Kjo është e lidhur edhe me sheshin përballë stadiumit, që po realizohet nga bashkia e Tiranës. Sipas ritmeve që po shohim, nuk kanë filluar ende punimet.

Kam frikë se ndoshta stadiumi do të përfundojë, ndërkohë që sheshi të mos përfundojë dhe të na bëhet pengesë neve për të realizuar një ndeshje për muajin shtator”, shprehet për Top Channel Dervishaj, shef i Sektorit të Investimeve dhe Infrastrukturës në FSHF.

Në vendin tonë pritet të ndërtohen edhe dy stadiume të tjera dhe Dervishaj thotë: “Brenda mandatit 4 vjeçar të përfundojmë dy stadiume. Njëri nga këta është ‘Zeqir Ymeri’ në Kukës, ndërkohë që presidenti bashkë me kryetarin e bashkisë së Fierit janë ulur dhe kanë diskutuar për të bërë stadiumin ‘Loni Papuçiu’ të Fierit, pra një stadium të ri, i cili mund të ndërtohet mbi gjurmët e stadiumit ekzistues”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *