Nga rezultatet te pakënaqësitë, Flamurtari menjëherë në krizë

Dy humbje, me dy rivalë direktë, për të treguar se Flamurtari nuk është ende gati të konkurrojë si i barabartë për titullin kampion. Emërimi i trajnerit Ilir Daja në stol në fillim të sezonit, rinovimet me disa lojtarë të rëndësishëm, por edhe afrimet në merkato me emra si Koliçi e Torasa, krijuan idenë në Vlorë se kuqezinjtë mund ta provonin.

Pas kapitullimit përballë Skënderbeut në shtëpi, vlonjatët u mposhtën edhe nga Partizani, në një ndeshje ku kuqezinjtë treguan shumë pak në lojë. Mbrojtje ende e brishtë, lojë pa shumë ide dhe shumë të lexueshëm në sulm. Flamurtari tregoi disa limite, të cilat edhe pse jemi ende në fillimin e sezonit, ngrenë dyshime për synimet e ekipit.

Sikur ecuria negative të mos mjaftonte, kur jemi në javën e pestë të kampionatit, tensioni që ekziston brenda ekipit, ka nisur të shfaqet në mënyrë të dukshme. Ai që nuk i fshehu pakënaqësitë në fushë ishte Agustin Torasa. Lojtari, i afruar me bujë gjatë verës ishte nën nivelin e pritur përballë Partizanit. Trajneri Daja e zëvendësoi pas diçka më tepër se një orë lojë. Argjentinasi jo vetëm që refuzoi ta takonte trajnerin, por e shfaqi të gjithë zhgënjimin në stol, ku hoqi edhe fanellën.

Megjithatë Torasa nuk është i vetmi. I pakënaqur te kuqezinjtë është edhe Useini, një prej emrave të rëndësishëm të sezonit të kaluar. Pak përpara ndeshjes, mesfushori Emiljano Musta postoi në Instagram fotografinë e shokut nga Tetova me koment ironik: “Do përqendrim edhe stoli!”. Mesazh me nënkuptim, që tregon shumë rreth gjendjes së 29-vjeçarit Useini, por edhe të vetë Mustës, i cili kaloi nga titullar në javët e mëparshme, në zgjedhje të dytë. Nga ecuria te humori jo i mirë i lojtarëve, te Flamurtari ka disa çështje që duhen zgjidhur, nëse kuqezinjtë nuk duan të dalin nga gara përpara pauzës së dimrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *