Murinjo sherr në tunel, Sarri: Gabuam ne!

Sherri në tunel, pas ndeshjes ku Çelsi barazoi me Mançester Junajtid “serviri” imazhe që nuk i shkojnë aspak për shtat Premier Ligës angleze. Ngjarja u zbardh dhe u zbuluan arsyet që sollën tensionimin e situatës. Gjithçka ndodhi në minutën e gjashtë të kohës shtesë, kur goli i Barklej evitoi humbjen e “bluve” të Londrës.

Në atë moment, zv.trajneri i Çelsit, Marko Iani, nisi të festonte përpara stolit të Mançester Junajtid, duke ngacmuar në mënyrë të hapur Zhoze Murinjon. Portugezi reagoi menjëherë, duke tentuar të shkonte pas asistentit të ekipit rival në tunel, por u frenua nga rojet e sigurisë. Aty situata doli nga kontrolli, me lojtarë, trajnerë dhe zyrtarë të të dyja skuadrave që rrethuan Murinjon, duke krijuar një skenë kaotike.

Për të evituar çdo polemikë të mëtejshme, mendoi trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, që në konferencën për shtyp pranoi se fajin e kishte pjesëtari i stafit të tij. Madje, trajneri me eksperiencë mendoi menjëherë të sheshonte ngjarjen, duke zbuluar se e detyroi ndihmësin e tij, Iani, ti kërkonte falje trajnerit të skuadrës kundërshtare për veprimet që bëri.

Sarri tha: “Nuk e di çfarë ndodhi, sepse nga fusha nuk pashë asgjë. Por, pas ndeshjes fola me Zhozen dhe menjëherë e kuptova që ne gabuam. Fola direkt me anëtarin e stafit tim dhe e dërgova te Murinjo për ti kërkuar falje. Mendoj se tashmë është gjithçka e kaluar, por ne kemi gabuar! Padyshim, që ishim në anën e gabuar të situatës së krijuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *