Moxhi: Panuçi mund të jetë bast, jo Juliano

Këshilltari, apo drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Luçiano Moxhi, ka folur gjerë e gjatë në një intervistë në Top-Channel, ku ka shpjeguar gjithë lëvizjet e fundit te Partizani, duke nisur nga afrimi i trajnerit Mark Juliano.

JULIANO – “Juliano ka patur bashkëpunim me disa trajner të rëndësishëm në karrierën e tij si Ançeloti, Kapelo, etj. E vija re se gjithmonë i ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e tyre edhe ne vitet e fundit me Juventusin ishte më tepër trajner në fushë se futbollist. E njoh si njeri me karakter. Jo, te Partizani nuk do të jetë një bast, por një siguri, përndryshe çfarë këshilltari do të isha, do të këshilloja keq presidentin, ndaj me Iulianon garantoj siguri”.

PANUÇI – “Ndoshta zgjedhja e Panuçit mund të jetë bast, por jo e jona. Edhe Panuçi është një ish-lojtar shumë i mirë, por e njoh pak, megjithëse duket se ka dëshirë të bëjë mirë. E rëndësishme është të ndjekë rrugën e De Biazit”.

MERKATOJA – “Unë nuk jam drejtues që vendos tek Partizani, por këshilltar i presidentit Demi. Si i tillë, e kam këshilluar presidentin që të krijojmë një Juventus të vogël, pra atë që bëra unë me atë skuadër, me Torinon apo Napolin. Krijim i bazës të të rinjve, pasi një skuadër nuk mbështetet vetëm tek blerjet, por edhe tek shitjet. Një futbollist i mirë nuk jep gjithmonë maksimumin tek një skuadër e caktuar, duhen parë karakteristikat. Një ekip futbolli duhet te veprojë në unison. Për shembull, tek Juventusi mora Zidan, por përkrah tij ishte Edgar Davids. Njëri që dinte ku të hidhte topin dhe tjetri ku të fuste këmbën”, thotë Moxhi.

ZEMAN – “Po, e kam lexuar edhe unë intervistën ku ka folur për mua sikur falimentoj klube. Zemani në Itali njihet si njeri që flet keq, për Juventusin dhe për mua. Klubet e mija kanë fituar gjithçka dhe kanë funksionuar shumë mirë financiarisht. Për shembull, kur mora unë Juventusin, ne i kishim borxh FIAT-it 55 miliardë lireta. Ia kthyem borxhin dhe për 12 vite fituam gjithçka, pa i kërkuar më asnjë liretë presidentit Anjeli, gjithçka e bëra me forcat e mia. Këtë gjë nuk mund ta thotë një si ai që e kanë shkarkuar nga klubet aq herë sa nuk mbahet mend”.

POLEMIKAT E SEZONIT TË FUNDIT – “Normalisht për fituesin duhet të rezervohen vetëm duartrokitje, por nëse në Shqipëri është zakon që fituesi të kontestohet, më mirë të kontestohesh se të marrësh duartrokitje. Megjithatë, unë besoj në futbollin e ndershëm dhe do të jap gjithçka për të ndihmuar Presidentin Demi, kjo është e sigurt”.

DEMI – “Presidentin Demi do ta cilësoja një person mjaft alegro dhe shumë inteligjent. Inteligjent sepse di se ku bëhet biznes dhe si arrihet biznesi. Edhe në aktivitetet e tij të tjera ai po më ndjek me vëmendje, sikurse në biznesin e klubit dhe unë do të përpiqem t’i dhuroj presidentit kënaqësitë që ai i meriton në të gjitha fushat e biznesit që po punon, përfshirë edhe futbollin. Respektoj personalitetin e Gaz Demit, theksoj se në krahasim me shumë presidentë në Itali, Demi e njeh jetën shumë më mirë se të tjerët dhe po të analizojmë figurat e presidentëve italianë, shumë prej tyre duhet të ndërrojnë profesion. Kujdes, futbolli italian është në rënie pikërisht për mungesë të drejtuesve. Për shembull, Juventusi fitoi 6 kampionate, pasi skuadrat e tjera nuk kanë pasur drejtues, ndaj Juventusi ka fituar dhe do të vazhdojë të fitojë pikërisht se ka drejtues të aftë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *