Luftëtari-Milinkoviç dhe dy anët e medaljes

Trajneri serb bëri për vete gjirokastritët sezonin që shkoi me emocionet që dhuronte ekipi në lojë, por me drejtuesit ka ende llogari të hapura

Mlladen Milinkoviç kthehet sot si kundërshtar në qytetin, të cilit patjetër më shumë i dha se i mori. Sezonin e kaluar, kur ai mori drejtimin e Luftëtarit, ndoshta pati edhe skepticizëm, pasi ekipi nuk kishte në përbërje lojtarë me shumë emër, por shumë shpejt të gjithë sportdashësit u afeksionuan me profilin e lojës që krijuan gjirokastritët. Dhe patjetër që merita kryesore ishte e tij, pasi Luftëtari dhuronte spektakël edhe në ndeshjet që i humbiste, duke luajtur një futboll sulmues dhe në shumicën e rasteve efikas. Iu afrua shumë Kupave të Europës, por nuk i kishte gjërat vetë në dorë dhe në fund llogaritë nuk dolën.
Për këto arsye, trajneri serb do të jetë i mirëpritur sot në Gjirokastër nga tifozët e Luftëtarit. Edhe ai vetë nuk i ka fshehur emocionet për rikthimin në një vend, ku e kanë respektuar dhe ku ka kaluar momente të bukura me një ekip, që nga opinioni sportiv u konsiderua si surpriza e sezonit. Ky fakt e bëri trajnerin Milinkoviç një trajner të kërkuar nga skuadrat e mëdha të kampionatit tonë. E kërkoi edhe Partizani, por në fund serbi firmosi për Kukësin, me të cilin sot do të tentojë të mposhtë Luftëtarin si profesionist që është.

ANA TJETËR – Por nuk është gjithçka pozitive sa u takon marrëdhënieve të trajnerit Milinkoviç me Gjirokastrën. Ndarja e tij me drejtuesit e Luftëtarit nuk ishte ajo që në fakt duhej të ishte, pasi gjirokastritet janë ndjerë të tradhtuar nga ish-trajneri i tyre. Pas mbylljes së sezonit u fol shumë për vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve, madje në një moment klubi i Luftëtarit bëri fakt të kryer rinovimin e kontratës. Por më pas Milinkoviç u prezantua te Kukësi dhe gjirokastritët hapën një çështje në FSHF, duke pretenduar se serbi kishte nënshkruar më parë më parë me ta. Nga burime jozyrtare është thënë gjithmonë se trajneri Milinkoviç nuk është paguar për muajt e fundit të punës me Luftëtarin dhe kjo e detyroi për një zgjidhje tjetër, përtej ambicieve për të drejtuar një ekip më të madh. Çështja në fakt vazhdon të jetë ende e hapur, por kjo pak punë i prish trajnerit Milinkoviç, i cili vazhdon punën i qetë në krye të Kukësit. Sikleti i tij i vetëm do të jetë sot, kur do të provojë dy shije të ndryshme në të njëjtin moment: respektin e tifozërisë gjirokastrite dhe mërinë apo qejfmbetjen e drejtuesve të Luftëtarit, edhe pse këta të fundit do të përpiqen të jenë diplomatë në sytë e opinionit sportiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *