Lilaj: Trajneri tha që kam probleme? Kam qenë shumë mirë…

Kristian Panuçi ka probleme të theksuara komunikimi me futbollistët dhe kjo është diçka që dihet. Por, problemi lidhet edhe me argumentet që jep trajneri Panuçi për ndeshjet apo rreth zgjedhjeve të lojtarëve. Pas Elseid Hysajt, që menjëherë pas ndeshjes me Skocinë tha se ekipi nuk e kishte praktikuar ndryshimin e skemës, tani vjen një tjetër përgënjeshtrim i trajnerit.

Sabien Lilaj, i grumbulluar në skuadër me urgjencë përpara ndeshjes me Izraelin, mohoi të ketë patur probleme fizike, ashtu siç deklaroi Panuçi, për të argumentuar përse nuk e grumbulloi mesfushorin prej miqësores me Jordaninë.

“Nuk e di çfarë ka thënë trajneri, fizikisht kam qenë shumë mirë. Nuk kisha marrë thirrje nga trajneri, por u dëmtua Ramadani dhe u thirra. Jam gjithmonë gati të vij në Kombëtare dhe të jap kontributin tim”, deklaroi Lilaj për RTSH pas ndeshjes.

“E kishim studiuar mirë kundërshtarin, u munduam ta godisnim te pikat e dobta. Kërkuam të sulmonim krahët. Loja ishte e kënaqshme, krijuam 4-5 mundësi të pastra, por nuk shënuam. Futbolli kështu e ka, nëse nuk shënon humbet”.

Më tej, edhe sakrifica për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi, me udhëtime të gjata dhe aktivizimin në pjesën e dytë të ndeshjes, pas dëmtimit të Bashës: “Para dy ditëve udhëtova gjithë natën. Erdha në Tiranë për gjysmë dite dhe menjëherë u nisa drejt Izraelit. Por, për Kombëtaren nuk është një sakrificë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *