Kukësi i Europës, sakrifikohet Emini

Hair Zeqiri preferohet para sulmuesit tetovar, ndërkohë që Serran zëvendëson Allën. Izraeliti Nasar programohet titullar në të majtë të mesfushës

Jurgen Zela

Kukësi nuk është nxituar në merkato, ku ka tentuar të bëjë lëvizje të studiuara, edhe pse numri i lojtarëve që u janë propozuar ka qenë mjaft i lartë. Nga lëvizjet e deritanishme është arritur të krijohet edhe një ide se si trajneri Gjoka do ta rreshtojë skuadrën e tij në fushën e lojës. Deri më tani janë zyrtarizuar disa lojtarë, duke nisur me Rustem Hoxhën, Izraelitin  Nasar, spanjolli Serran dhe Hair Zeqirin. Këta dy të fundit pritet të luajnë si titullarë, ndërkohë që merkato ende nuk është mbyllur dhe pritet të vijnë edhe lojtarë të tjerë.

MODULI – Gjatë sezonit që lamë pas në 35 javë nga 36 gjithsej, Kukësi ka aplikuar skemën 4-4-2. Normalisht që me pjesëmarrjen në Champions League, niveli i kundërshtarëve rritet ndjeshëm dhe një skemë me dy sulmues kalon si një alternativë e dytë. Edhe pse përballë do të jenë kampionët e Moldavisë, Gjoka duket se nuk trembet aspak, pasi përsëri do të hedhë në fushë një skuadër sulmuese. Ndryshimi i vetëm në modul, pritet të jetë aktivizimi i një mesfushori fantazist, pas sulmuesit kryesor dhe jo një sulmues të deklaruar. Champions League natyrisht që është një nivel shumë më i lartë se ai i kampionatit shqiptar, por objektivi për të kaluar më tej është marrë shumë seriozisht, kjo dhe sepse kundërshtari nuk është një emër dhe aq “i frikshëm”, së paku i krahasuar me skuadrat e tjera që ishin

NDRYSHIMET – Pjesa më e madhe e afrimeve të verës janë projektuar titullar. Hair Zeqiri, Siraj Nasar dhe Alberto Serrano, pritet që të zënë vend në formacionin titullar të kampionëve. Duke nisur që nga mbrojtja ka një ndryshim, ky i detyruar, pasi me largimin e Albi Allës lirohet një vend dhe atë e zë Alberto Serran, spanjolli i ardhur nga Qipro. Së bashku me Shametin ata do ndërtojnë “bllokun” e mbrojtjes para portierit Koliçi, ndërkohë që nga krahët do vijnë të aktivizohen kapiteni Hallaçi dhe Rrumbullaku. Ndryshimeve nuk u shpëton as mesfusha, teksa në krahun e majtë programohet të luhet me Siraj Nasar. 26. Pas largimit të Dvornekoviç, Nasar do të zërë vend në të majtë të mesfushë, duke postuar në këtë mënyrë Kariokën në të djathtë. Lena dhe Musolli mbeten të paprekshëm në qendër. Risi do të jetë dhe aktivizimi i Hair Zeqirit, i cili do të vendoset para mesfushës, por më i tërhequr se Pejiç, i cili mbetet si graduar si lokomotiva që tërheq skuadrën. Vlonjati ka luajtur edhe më parë i avancuar, madje edhe në majë të sulmit dhe për të nuk do të jetë problem. Sulmi i verilindorëve në këtë mënyrë do të fitojë fantazi dhe centimetra, pasi veç kroatit, edhe Zeqiri është shtatlartë. Me këtë ndryshim i vetmi nga skuadra aktuale që rrezikon të humbasë vendin e titullarit është tetovari Izair Emini. Megjithatë faza përgatitore në Austri, do t’i krijojë stafit teknik një ide më të qartë, për ata që do të hedhë në fushën e lojës.

 Formacioni i mundshëm i Kukësit, 4-4-1-1

Koliçi – Hallaçi, Shameti, SERRAN, Rrumbullaku – Karioka, Musolli, Lena, NASAR – ZEQIRI – Pejiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *